Sot skadon afati që bizneset të dorëzojnë listëpagesat për punonjësit dhe pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe rrjedhimisht të bënin edhe korrigjimet e pagave, pas apeleve të përsëritura të qeverisë.

Pas rrjedhjes së të dhënave të pagave, që nxori në pah një informalitet të lartë, tatimet u dërguan letër për korrigjim 10.500 bizneseve.

Por kontabilistët, ata që mbajnë bilancet e bizneseve, shprehen se vetëm një numër i vogël subjektesh kanë reaguar duke bërë  deklarimin e pagave reale të punonjësve.

Pas dorëzimit të listëpagesave, administrata tatimore do të nisë verifikimin e të dhënave. Fillimisht procesi do të bëhet nga zyrat e më pas, do të kalohet me kontrolle në terren tek bizneset ku ka të dhëna të sakta për nëndeklarim pagash.

Si bazë për të bërë krahasimet, administrata tatimore do të përdorë pagën mesatare në çdo industri, duke përjashtuar mundësinë e zbatimit të pagave të referencës.

Aktualisht nuk të dhëna zyrtare sesa është informaliteti tek pagat, por sipas një raporti të Bankës Botërore, ai vlerësohet në masën 33% dhe është ndër nivelet më të larta në rajon.