Eurodeputetët iu bashkuan nismës së koleges së tyre Ramona Strugariu për t’i dërguar letrën Ramës me një kërkesë specifike kundër ekstradimit të Simsek në Turqi dhe me një paralajmërim të prerë se shkelja e të drejtave themelore të njeriut në këtë rast do të penalizojë Shqipërinë në rrugën drejt integrimit Europian.

“Mësuam me shqetësim të madh se në 10 shtator 2020, Komisioni Kombëtar për Azilin dhe Refugjatët i Shqipërisë refuzoi apelin kundër vendimit për të mos i dhënë azil Selami Simsek,” shkruhet në letër.

“Simsek ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se ai do të përballet me përndjekje nëse raportohet në Turqi si anëtar i lëvizjes së klerikut Fethullah Gulen, të cilën autoritetet e Ankarasë e konsiderojnë organizatë terroriste,” vijon më tej letra.

“Ne dëshirojmë të kërkojmë një sqarim urgjent nga autoritetet e Shqipërisë mbi situatën e Selami Simsek. Ne dëshirojmë, në të njëjtën kohë, t’i rikujtojmë atyre për nevojën për të respektuar parimet e procesit ligjor dhe detyrimet ndërkombëtare të Shqipërisë, veçanërisht ato në lidhje me Konventën e Gjenevës për Refugjatët e vitit 1951, në të cilën Shqipëria është palë,” shkruajnë eurodeputetët.

Ata citojnë gjithashtu paragrafin 2 të nenit 19 të Kartës Europiane për të Drejtat Themelore në të cilën sanksionohet që askush nuk duhet të riatdhesohet ose të përzihet drejt një vendi ku rrezikon të vuajë persekutim.

Kryeministri Edi Rama nuk ka reaguar publikisht ndaj kësaj letre deri në kohën e publikimit të këtij shkrimi.

Selami Simsek u arrestua në Tiranë duke tentuar të ikë drejt Kanadasë vitin e kaluar dhe u dënua e mbaroi dënimin me burg për këtë vepër penale. Më datë 9 mars, ai u lirua nga burgu por u transferua nga policia për në qendrën e mbyllur për refugjatë në Kareç, pranë Vorës. Ai mbahet atje që prej asaj kohe, ndërsa autoritetet shqyrtojnë kërkesën e tij për azil.

Një komision shtetëror pranë Ministrisë së Brendshme, ka refuzuar apelin e tij ndaj vendimit fillestar për refuzimin e statusit të refugjatit politik.

Shqipëria ekstradoi në mënyrë të dyshimtë më 1 janar të këtij viti shtetasin turk Harun Celik, të cilit, sipas dokumenteve të rrjedhura në media, drejtoresha e kufirit në atë kohë, Enkeleda Toska, i dha zero ditë kohë për të apeluar vendimin e refuzimit të kërkesës për azil.

Në qershor, policia e Shtetit e ndaloi Toskën nën akuzën e trafikut të qenieve njerëzore, në një çështje të palidhur me rastin e Çelik. Policia e Shtetit dhe prokuroria nuk dihet të kenë bërë hetime për rrethanat në të cilat Çelik u vendos në një avion të Air Albania për në Stamboll, ku u arrestua nga policia turke.

Ministri Sandër Lleshaj bëri të paditurin në një koment televiziv ndërsa qeveria e tij supozon se Çelik u përzu si një emigrant i paligjshëm dhe se Shqipëria nuk ishte në dijeni për rrezikun që i kanosej atij si mbështetës i Gulen.

Eurodeputetët që nënshkruan letrën janë:

Ramona Victoria Strugariu

Vlad-Marius Botos

Oliver Chastel

Katalin Cseh,

Dragos Pislaru

Jon-Christoph Oetjen,

Brando Benifei

Michal Simecka

Viola von Cramon-Taubadel