Kjo e premte shënoi pajisjen me vizë amerikane 10- vjecare  për këdo shtetas shqiptar që do të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara për arsye turistike ose biznesi.

Ndonëse vendimi përkoi me 1 Prillin, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë shkruan se lajmi nuk është shaka.  E menjëhërë pas njoftimit ka qënë vetë Ambasadorja Juri Kim që përshëndeti aplikanten e parë shqiptare, që përfitoi nga vendimi që e zgjat nga 3 në 10 vjet  vlefshmërinë e vizës për në Shtetet e Bashkuara.

“Sot mund të jetë 1 Prill, por kjo nuk është shaka! 1 Prilli shënon ditën e parë të zgjatjes 10 vjeçare të vizave për shqiptarët të cilët marrin viza turistike dhe biznesi për në Shtetet e Bashkuara. Mëngjesin e sotëm, Ambasadorja Yuri Kim përshëndeti aplikanten shqiptare të cilës iu dha viza e parë amerikane e vlefshme për 10 vjet. Ambasadorja Kim e uroi atë dhe bisedoi mbi planet e udhëtimit të saj për në Shtetet e Bashkuara këtë verë. Ky është një lajm i jashtëzakonshëm ndërsa festojmë 100-vjetorin e marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.”

Vendimi është përshëndetur edhe nga Kryeministri Rama, duke e cilësuar atë një lajm të bukur në 100 vjetorin e marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara  dhe Shqipërisë.

“Rritet me 10 vjet vlefshmëria e vizës amerikane të qytetarëve shqiptarë, si shprehje kuptimplotë e rritjes së shumëfishtë të bashkëpunimit pas firmosjes së Deklaratës së Partneritetit Strategjik gjatë mandatit tonë të parë qeverisës, si edhe e rritjes së vazhdueshme të besimit e të respektit ndërkombëtar tek Shqipëria, falë reformave shtetndërtuese e rezultateve domethënëse në një rrugë ndryshimi që vazhdon.”

Vizat amerikane për shtetasit shqiptarë që do të udhëtojnë për arsye turistike ose biznesi drejt Shteteve të Bashkuara do të jenë të vlefshme deri në vitin 2032.