BBC bën me dije se jo vetëm Chelsea dhe Manchester City, por edhe Manchester United po përgatisin dokumentacionin për tërheqjen nga Super Liga.

Këto klube ishin dy nga 12 klubet nismëtare të projektit të ri, që u kundërshtua ashpër nga FIFA dhe UEFA.

Gjatë mbrëmjes së sotme, Chelsea do të luajë kundër Brighton dhe tifozët e ekipit kanë penguar autobusin e skuadrës që të hyjë në stadium. Petr Cech ka zbritur për të qetësuar tifozët.

“Na lini që ta zgjidhim këtë çështje. Na jepni kohë, por lëreni autobusin”, tha Cech.

Po nga Anglia vjen lajmi se edhe Atletico Madrid po mendon të tërhiqet nga Super Liga.

Ndërkohë, sipas Gjykatës së Madridit, FIFA dhe UEFA nuk bllokojnë dot nisjen e Super Ligës. Gjithashtu, këto dy organizma nuk mund të ndëshkojnë klubet dhe lojtarët, derisa çështja të merret plotësisht në konsideratë.

Arsyeja pse është shprehur për këtë një gjykatë spanjolle është sepse European Super League Company, S.L. e ka selinë në Gadishullin Iberik.

Një lajm i rëndësishëm, pas kërcënimeve për përjashtim nga kompeticionet kombëtare dhe ndërkombëtare që UEFA dhe FIFA u bëri 12 klubeve që vendosën të krijojnë Super Ligën.