Mide Ndreu, 51-vjeçarja shqiptare që u vu në pranga në Itali pas vrasjes së një pensionisti i qëndron versionit të saj. “Ishte i dhunshëm. Ia plotësoja kërkesat sepse kisha frikë. Shkova tek ai sepse më nevojitej puna”, ka thënë ajo para prokurorëve.

Madje edhe ditën e vrasjes, Ndreu pretendon se ka pasur një rast tjetër kur Antonio Amicucci i është afruar për ta ngacmuar. “E refuzova dhe ai mori një thikë. Pati përleshje dhe munda t’ia marr nga dora e më pas e godita”, ka thënë ajo.

Ngjarja ndodhi më 24 nëntor në banesën e pensionistit italian. Gruaja ka dashur që të sqarojë disa nga detajet kryesore të dinamikës së ngjarjes. Sipas avokatëve të saj, mëngjesin e vrasjes ajo po lante pjatat. Amicucci i është afruar dhe e ka prekur. “Nuk dua, ndalo”, mësohet se i ka thënë gruaja. Por në këtë moment, pensionisti merr në dorë një thikë dhe ia drejton shqiptares. Pas kësaj ka nisur edhe përleshja, ku viktima ka tentuar që ta çojë gruan në divan. Më pas janë ulur aty dhe shqiptarja ka mundur që t’ia marrë nga dora thikën.

Pensionisti kishte vazhduar që ta ngacmonte, por në moment zemërimi, shqiptarja e ka goditur 12 herë me thikë në kraharor dhe bark. Sipas asaj që shkruajnë mediat, plagët e shkaktuara nuk ishin vdekjeprurëse. Por kombinuar edhe me problemet e mëparshme shëndetësore të viktimës, i sollën atij vdekjen.

Sipas avokatëve mbrojtës të gruas, dëshmia e parë e saj ka paqartësi për shkak se ka folur në gjendje shoku dhe se nuk di që të shprehet shumë mirë italisht. Sipas dëshmive, Mide Ndreu shkonte në shtëpinë e Amicuccit pavarësisht ngacmimeve sepse kishte nevojë për punën pasi i shoqi punonte vetëm me raste që prej shpërthimit të pandemisë. Këtë rrethanë e ka konfirmuar edhe bashkëshorti i saj. Ndërkohë asnjë prej familjarëve nuk ishin në dijeni të ngacmimeve që ajo kishte pësuar nga italiani.

Për këto arsye avokatët e saj do të kërkojnë arrest shtëpie për Nreun, duke marrë parasysh edhe disa probleme shëndetësore të saj.

51-vjeçarja punonte si kujdestare në shtëpinë e 68-vjeçarit. Pas vrasjes ajo kërkoi ndihmë nga një fqinj. Ky i fundit ka thirrur autoritetet. Ndreu jetonte në të njëjtën lagje me viktimën. 51-vjeçarja ishte e martuar dhe me 3 fëmijë.