Presidenti rus, Vladimir Putin dhe presidenti i SHBA, Joe Biden u takuan sot në vendin e samiteve, Gjenevë, duke ndarë së pari një shtrëngim të shkurtër duarsh.

Putini ishte i pari që mbërriti dhe u takua fillimisht në vilën ”La Grange” me presidentin zviceran, Guy Parmelin.

“Ka shumë çështje të akumuluara, shpresoj që takimi ynë i sotëm të jetë produktiv”, deklaroi Putin për presidentin Biden.

”Është gjithmonë më mirë të takohemi ballë për ballë”, i tha Joe Biden presidentit rus para fillimit të samitit.

Të dyja palët kanë thënë se takimi në vilën piktoreske buzë liqenit në Gjenevë do të sjellë marrëdhënie më të stabilizuara, megjithëse të dyja palët u përmbahen qëndrimeve diametralisht të kundërta për pika fërkimi si ndërhyrja ruse në zgjedhjet amerikane, sulmet kibernetike dhe agresioni rus në Ukrainë.

“Nuk presim një listë të gjatë arritjesh nga ky takim,” tha një zyrtar amerikan gjatë udhëtimit me avionin presidencial për në Gjenevë, duke shtuar se dy udhëheqësit pritet të diskutojnë për orë të tëra.

Marrëdhëniet janë acaruar prej vitesh, duke filluar me aneksimin e Krimesë nga Rusia në 2014, ndërhyrjen e rusëve në Siri në 2015 dhe akuzat amerikane, të kundërshtuara nga Kremlini, se Rusia është përzierë në zgjedhjet amerikane.

Komenti i Presidentit Biden në mars se Putini është “vrasës” e acaruan edhe më tej situatën, duke rezultuar në thirrjen nga Kremlini të ambasadorit të tij në Uashington. Në prill, SHBA thirrën ambasadorin e tyre në Moskë. Asnjë prej tyre nuk është kthyer ende në post.

Një zyrtar i lartë amerikan tha se SHBA synon të arrijë një numër “ndarje detyrash” që në zhargonin qeveritar në Uashington nënkupton emërimin e disa funksionarëve nga të dyja palët për të vazhduar diskutimet në nivel më të ulët “për tema ku mund të punohet bashkarisht për të avancuar interesat kombëtare dhe për ta bërë botën më të sigurtë”.

Kontrolli i armëve është një nga temat ku gjatë viteve është regjistruar mirëkuptim, megjithë fërkimet në fusha të tjera.

Vladimir Frolov, ish-diplomat rus, tha për agjencinë e lajmeve Reuters se Presidenti Putin dëshiron marrëdhënie me respekt dhe kërkon të trajtohet si anëtarët e ish-Byrosë Politike të Bashkimit Sovjetik në vitet 1960-1980, që “një trajtim që në mënyrë simbolike ta vlerësojë Rusinë si një fuqi e barabartë strategjike me Shtetet e Bashkuaraa”.

“Në këmbim, Moska mund të tregohet e gatshme të reduktojë disa nga marrëzitë që ka bërë,” tha zoti Frolov, duke shtuar se me këtë term nënkupton se “s’do ketë më helmime, dhunë fizike, arrestime e rrëmbime të shtetasve amerikanë e rusë. S’do të ketë ndërhyrje në punët e brendshme”.

Dmitri Trenin, drejtor i Qendrës Carnegie në Moskë thotë se për takimin janë paracaktuar synime modeste:

“Suksesi i parë nga ky takim në Gjenevë do të jetë fakti që palët nuk u zunë me grushte, pra nuk do të ketë nevojë për një konflikt ushtarak,” thotë ai.

Një shenjë simbolike e tensionit mes dy udhëheqësve është fakti që nuk është planifikuar drekë e përbashkët Biden-Putin dhe secili prej tyre do të zhvillojë një konferencë të veçantë për shtyp.

“(Biden dhe Putin) nuk do ndajnë bukë bashkë,” tha zyrtari i lartë amerikan.

Vila La Grange ku zhvillohet takimi

Megjithëse atmosfera do të jetë solemne dhe e nderë, sfondi do të jetë spektakolar: një vilë elegante me një kopësht prej 30 ha në brigjet e Liqenit të Gjenevës.