Nga Mimoza KARAGJOZIKORE

_____

Sapo përfundova së lexuari librin e fundit te Musine Kokalarit, i porsabotuar, “Nënë Zejnebia” dhe ende jam e lektisur në shtëpinë e fëmijërise, në “pëqinë” e gjyshes sime që më tregonte përralla e këngë. E këtë ndjesi ta jep veçse pena e Musinesë. Libri është një manifest tjetër dashurie i Musinesë për vendlindjen e saj. Ai është shkruar në Rrëshen, më 1973. E lodhur, e sfilitur nga barbaritë e burgut e të internimit, ajo nuk e humbi bukurinë e shpirtit që e derdhi edhe në këtë krijim të mrekullueshëm. Me sa duket te Gjirokastra, jeta dhe perpjekjet e grave te këtij qyteti gjeti forcën e frymëzimin në ato kushte. Motoja me të cilën nis një librin e saj më të hershëm “Vendi ku ke lerë e je rritur është dashuria e parë që hedh rrënjë në zemrat tona” e ndoqi Musinenë deri në fund. Libri është një himn kushtuar jetës, të cilën e mbanin gjallë gratë gjirokastrite me punë, sakrifica e mbi te gjitha me dashuri e përkushtim që “shtëpitë e jetës” të gumëzhinin nga zërat e fëmijëve. Tri breza grash, Zejnebia, Xhevrua e Xhemileja i percjellin mes vuajtjesh “nasihatet” njëra-tjetrës duke ruajtur zakonet, respektin për të tjerët e mbi të gjitha dhembshurinë për fëmijët si ndjenjën më sublime.

Në fund të librit ajo jo vetëm jep fjalor sqarues e kjo do ta zgjeroje interesin edhe te lexuesi jo gjirokastrit, por shpjegon zakone e rite të këtij qyteti shumë prej të cilave i kemi përjetuar e janë ende gjallë në këtë qytet e shumë të tjera kanë humbur. Edhe pse vajzë e shkolluar e variantin letrar te kohës e njihte, e folmja gjirokastrite gjëllin në këtë libër, madje m’u duk edhe më tipike se në librat e mëparshëm sa asaj vetë i duhet të bëjë sqarime përbri fjalës. Gjuhëtari, etnologu, studiuesi i folklorit do të gjejë material të bollshëm studimi. Një falenderim për të gjithë ata që i dhanë jetë dorëshkrimit të Musinesë, institucioneve në Gj, B. Kokalarit e I.Llurit!