Nuk i kam kuptuar asnjëherë ata që shqetësohen seriozisht për mundësinë e një zëvendësimi etnik të trojeve tona – i.e. sipas të cilëve, të gjithë ne kemi rënë në grackën e një megaplani diabolik, të bluar kushedi se ku dhe kushedi se nga, i cili parashikon se në 50-100 vitet e ardhshme prurje masive popullatash nga zona të largëta të globit do të vendosen këtu te ne, duke na dëbuar, duke na e përzier gjakun me të tyrin, e në fund duke na e shuar farën.

E ku qëndron problemi këtu?

Shqipëria mund të mbushet me bangladeshas (që quhen bengalezë, meqë ra fjala); ama shqiptarët kanë për të mbushur Britaninë, Skandinavinë mundësisht, e deri në Islandë e Groenlandë. Bengalezë për ata JEMI NE!

Vërtet do ta lëshojmë këtë cep Ballkani në dorë popullatash lindore e me ngjyrë, vërtet bën çik si ftohtë atje ku do t’na degëdisin; ama do të jemi shpejt padronët e rinj të Skocisë dhe gjithë tokave vikinge, o budallenj! Do jemi edhe më të bardhë dhe bjondë, do pimë birra, do ngasim anije, do plaçkisim gjithë Mesdheun me brirë në kokë, e madje do ndërtojmë perandorira!

Për çfarë po shqetësoheni kot së koti, se s’po e kuptoj!?