Si u kthye Bjellorusia në “Wagnerstan”?

Ja lëvizjet e rrezikshme të Prigozhin dhe Putin që mund të aktivizojnë nenin 5 të NATO-s dhe të nisin Luftën e Tretë Botërore…

 

Marsela SHYTIA

A po bëhet Bjellorusia “Wagnerstan”? Praktikisht nuk ekziston më si vend, është bërë vetëm një tjetër provincë ruse e militarizuar, por askush nuk ia ka thënë ende këtë. A mund të quhet Bjellorusia e pavarur dhe sovrane? Është absolutisht e qartë se Aleksandër Lukashenko nuk është asgjë më shumë se “kukulla e Putinit”, një lloj “sundimtari” kolaboracionist i vendosur në pushtet nga koha e Luftës së Dytë Botërore. Bjellorusia hoqi pikat kufitare në kufirin rus, por nga Rusia nuk ndodhi e anasjellta. Dhe kompania private ushtarake ruse Wagner, të cilën Putini e ndaloi zyrtarisht në Rusi pas rebelimit ushtarak Vagnerian në fund të qershorit, ngadalë por me siguri po pushton Bjellorusinë.

Pushtimi i Bjellorusisë

Mercenarët e Prigozhin, kryesisht kriminelë, vrasës dhe përdhunues rusë të amnistuar, thuhet se kanë kapur shifrën pesë mijë Bjellorusi. Portali i pavarur “Beloruski Gojun” pretendon se të paktën dy mijë prej tyre kanë hyrë kohët e fundit, dhe janë më të armatosur se ushtria bjelloruse, e cila është plotësisht në varësi të tyre. Ata po kryejnë manovra shumëditore me forcat e rregullta ushtarake dhe të sigurisë bjelloruse. Kjo e shtyu Poloninë të lëvizte forca shtesë ushtarake në kufirin e saj lindor. “Po u dridhen të brendshmet”, shkruajnë me tallje tabloidët pro-Kremlinit të Moskës. Kreu i Wagner, Yevgeny Prigozhin, në fjalimin e tij të fundit njoftoi se përveç një ushtrie private, dëshiron të krijojë një shtet privat, ndoshta me ndihmën logjistike të Kremlinit. Në të njëjtën kohë, Rusia vendosi armët e saj bërthamore në territorin e Bjellorusisë, por autoritetet në atë vend, as Presidenti Lukashenko, nuk ka asnjë ndikim në të, dhe asnjë shërbim sigurie bjelloruse nuk ka akses. Për shembull, Rusia mund të përdorë armë bërthamore, edhe pa e njoftuar Minskun.Forcimi dhe aktiviteti i Wagner mund të çojë në përshkallëzim të mëtejshëm në vetë Bjellorusi, por edhe të komplikojë marrëdhëniet me fqinjët e saj, veçanërisht Ukrainën. Ka spekulime të vazhdueshme se një tjetër sulm ndaj Kievit ose Chernihiv mund të nisë nga Bjellorusia, nëse kundërofensiva ukrainase në jug fillon të japë rezultate më të prekshme.

Luftë me NATO-n

Sakaq, të rrezikuar janë edhe fqinjët e Bjellorusisë dhe Rusisë, kryesisht Polonia dhe Lituania, anëtarë të NATO-s dhe BE-së. Shumë analistë përmendin një objektiv të mundshëm, zonën e Suwalki përgjatë kufirit polako-lituanez, të cilin mercenarët mund të përpiqeshin ta merrnin, por më realist duket opsioni që thjesht ta përdorin për të elektrizuar situatën. Anëtari rus i Dumës dhe ish-oficeri, Valerij Kartapolovai, është i bindur se Wagner është “transferuar” në Bjellorusi për shkak të Suwalkit. Është një “korridor” përmes të cilit Bjellorusia do të “lidhej” me enklavën ruse baltike të Oblastit të Kaliningradit, zona e qytetit prusian të Koenigsberg që BRSS e mori si “plaçkë lufte” pas Luftës së Dytë Botërore. Domethënë, nëse kjo tentativë e çmendur do të realizohej, do të nënkuptonte një sulm të drejtpërdrejtë ndaj vendeve udhëheqëse të NATO-s, që mund të sillte aktivizimin e nenit 5, i cili përcakton se të gjithë anëtarët duhet të ndihmojnë një aleat të sulmuar. Kjo do të nënkuptonte zgjerimin e luftës me pasoja të paparashikueshme.

Tensionet në kufi

Me tensionet në kufirin polak, Valerij Sahascik paralajmëron se Rusia do të shkaktojë një krizë të re emigrantësh në zonë, si dy vjet më parë. Ministri bjellorus madje beson se këtë herë ata mund të armatosin emigrantët dhe të fusin mes tyre mercenarët në mënyrë që të shkaktojnë incidente në kufi dhe të çojnë në destabilizimin e mëtejshëm të Polonisë, shteteve baltike dhe Evropës në tërësi. Që Putini dëshiron të “ziejë” dhe të krijojë tensione në kufirin polak, dëshmohet edhe nga deklarata e tij e fundit se Varshava dhe Vilnius duan të “pushtojnë pjesët perëndimore të Ukrainës”, dhe akuzoi Poloninë se ajo mori pjesët perëndimore të vendit falë Stalinit. Sido që të jetë, Bjellorusia po përfshihet gjithnjë e më shumë në planet e luftës dhe pushtimit të Rusisë, me pasoja ndoshta shumë katastrofike për bjellorusët.