Plani për vrasjen e 66-vjeçarit Behar Sofia në 25 Shkurt në kryeqytet, është hartuar rreth një muaj para eliminimit të tij. Për eliminimin e Behar Sofisë fillimisht janë përfshirë Xhuliano Visha, Skender Vathi dhe Leonar Xhixha të cilët nisën monitorimin e lëvizjeve të biznesmenit, i cili jetonte në zonën afër piramidës.

Për të kryer vrasjen ishte përcaktuar Xhuliano Visha, por skenari ndryshoi në moment të fundit, pasi 28-vjeçari kishte vëzhguar viktimën dhe dyshonte se ai do ta njihte, çka do të sillte në mos realizimin e planit. Sipas dosjes së prokurorisë, Visha më pas ka kontaktuar shokun e tij Ernejt Shytin duke i ofruar 50 mijë euro për të kryer vrasjen.

23-vjeçari Ernejt Shyti ka pranuar ofertën, por duke qenë se më parë ai nuk kishte prekur armë me dorë, i duhej të bënte prova para ngjarjes. Ata kanë bërë prova qitje në zonën e Krrabës në kryeqytet, deri sa i riu Shyti ka fituar reflekset për të qëlluar me armë. Të riut i ishte dhënë dhe një telefon për të komunikuar vetëm me 3 bashkëpunëtorët e tjerë.

Ditën e vrasjes Shyti ka dalë nga banesa e tij dhe në zonën e Brrylit ka vjedhur një biçikletë për tu afruar tek zona e piramidës. Në momentin që Behar Sofia ka dalë nga shtëpia, ai ka marr një mesazh dhe e ka ndjekur përgjatë lumit të Lanës. Sipas rrëfimit të të riut, herën e parë pistoleta nuk ka shkrepur, ndërsa më pas e ka qëlluar me dy plumba.

Pas këtij momenti i riu është shprehur para grupit hetimor se ka marrë biçikletën dhe është larguar drejt zonës së liqenit, ku ka lënë rrobat, biçikletën dhe celularin.

I riu ndër të tjera është shprehur se më pas është larguar me taksi drejt Malit të Zi, ku dhe u arrestua nga policia fqinje.

Krahas dëshmisë së tij, aparati telefonik, gjurmët e lëna në rroba dhe biçikletë janë provat më të forta që policia dhe prokuroria kanë për zbardhjen e kësaj ngjarje. Hetuesit vazhdojnë përpjekjet për gjetjen e armës së vrasjes, e cila dyshohet se është hedhur në Lanë por edhe për identifikimin e porositësit dhe motiveve të atentatit.

Katër të arrestuarit, të cilët akuzohen se kanë ekzekutuar biznesmenin 66-vjeçar pritet të dalin para gjykatës së Tiranës për tu njohur me masën e sigurisë, ndërsa prokuroria do të kërkojë arrest me burg.

Çështja ndaj tyre pritet të dërgohet dhe në SPAK, duke qenë se 4 të ndaluarit kanë kryer veprime në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.