Adnan Xholi iu bashkua sot trupës aktuale të prokurorëve specialë të SPAK, pasi Këshilli i Lartë i Prokurorisë votoi me votë unanime të të gjithë anëtarëve të pranishëm.

Bashkë me Xholin, trupa u shtua sot me prokuroren Bejko, e cila është më familjare për anëtarët e KLP-së, pasi ka aplikuar më herët për një pozicion në SPAK, si edhe është e komanduar në prokurorinë speciale prej muajsh.

Ndërsa Adnan Xholi, një prej zyrtarëve më të rëndësishëm të Prokurorisë Shqiptare, u përball për herë të parë me trupën e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, nga ku mori edhe mandatin e prokurorit të SPAK-ut.

Xholi mbante deri sot detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithshme, ndërsa më parë ka ushtruar prej më shumë se 5 vitesh funksionin e Drejtorit të Kontrollit të Hetimit në institucionin qendror të akuzës.

Më herët, prokurori Adnan Xholi ka mbajtur poste drejtuese në prokurori lokale, si edhe për shumë vite ka qenë prokuror pranë ish-Prokurorisë për Krime të Rënda.

Xholi ka mbajtur vazhdimisht një profil tejet të rezervuar përballë mediave, pavarësisht se ka pasur në duar çështje të nxehta dhe interesi i gazetarëve ka qenë i madh.

Xholi është prokurori i parë i Republikës që ka thirrur për të dhënë dëshmi Kryeministrin, Kryetarin e Kuvendit, ministrin e Brendshëm, ish-kryeministrin, deputetë e persona të tjerë jo të zakonshëm.

Nëse për shumë prej këtyre politikanëve, parimisht nuk do ishte problem të paraqiteshin nëse drejtësia do t’ua kërkonte, do duhej të kalonin 25 vjet që Sali Berisha, njeriu i politikës që thotë se di gjithçka, që akuzon gjithkënd për çdo gjë, të detyrohej të ulej përballë një prokurori.

Bëhet fjalë pët atentatin e supozuar ndaj ish-deputetit Tom Doshi.

Dibrani Adnan Xholi që 6 korrikun e këtij viti mbushi 44 vjeç ka marrë vazhdimisht vlerësime për performancën dhe integritetin profesional.

Është ndër të paktët prokurorë shqiptarë të nderuar me certifikatë mirënjohjeje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në krye të Drejtorisë së Hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme, tre muaj pasi kishte marrë këtë detyrë, bashkë me 7 oficerë gjyqësorë të Policisë së Shtetit ai punoi me autoritetet amerikane për zgjidhjen e një çështje trafiku droge dhe pastrimit parash, ku ishte i përfshirë një shtetas shqiptaro-amerikan.

Prokurori Xholi dhe shtatë oficerët të cilët kishin hetuar të pandehurin në Shqipëri, u paraqitën në tetor 2013 para jurisë së Teksasit, ku prezantuan procedurën hetimore të ndjekur për këtë rast.

A duhet theksuar fakti që anëtari i ri i SPAK gëzon besimin e amerikanëve? Po, edhe pse idealja do ishte që gjithë sistemi i polici-prokurori-gjykatave të gëzonte së pari besimin e shqiptarëve dhe kaq do mjaftonte. Por nga diku duhet filluar. Në rastin me emrin Adnan Xholi, fillimi nuk është aspak dekurajues, përkundrazi.