Në një deklaratë jashtë Komisariatit Nr 1 në Tiranë, Flamur Noka tha se janë 20 protestues të shoqëruar në polici, për të vetmin faj sipas tij sepse donin të futeshin në shtëpinë e tyre.

“Janë 20 demokratë të shoqëruar, për të vetmin faj sepse kanë shkuar, trokitur dhe kanë hapur dyert e shtëpisë së tyre që të hyjnë tek shtëpia e tyre. Por Edi Rama, bëri dhunë dhe gjak mbi demokratët, sepse pengu duhet mbajtur aty i burgosur në bunkerin që e kanë krijuar së bashku dhe demokratët nuk duhen lejuar të jenë opozitë dhe nuk duhen lejuar të hyjnë tek shtëpia e lirisë. Sigurisht që revolta ka bërë që ata të bëjnë gjithçka për të hyrë në shtëpinë e tyre. Edi Rama sot, me veprimin kriminal që bëri tentoi të tregonte se është dhe kryeministër dhe kryetar i opozitës. I bëj thirrje të ndalojë së arrestuari demokratët që duan të shkojnë në shtëpinë e tyre. Asnjë faj nuk kanë bërë”.

Noka tha po ashtu se “sot ata demokratë që janë prapa hekurave kanë 6 akuza në kurriz”.

“Kurrë nuk mbaj mend unë në gjithë këto vite që të kem parë dhe lexuar 6 akuza për një njeri qoftë edhe vrasësi më i madh. Sot ata demokratë që janë prapa hekurave aty, të mbyllur me dhunë e terror nga regjimi i cili do të mbrojë pengun, kanë 6 akuza në kurriz. A e kuptoni? Pse janë 6 akuza? Se hynë në shtëpinë e tyre.. kemi parë në këto vite gjyqe, arrestime dhe të vrasësve serialë, edhe terroristëve, por jo 6 akuza”.

Noka u shpreh më tej se Komisioni i Rithemelimit do të depozitojë padi për personat që nga brenda selisë së PD dhunuan protestuesit.