Tregim nga Murat Aliaj

Çdo familje ka diçka të mallkuar, që s’do ta shikojë në shtëpinë e vet. Ne kishim më tepër se sa një, që i ndryshonim sipas situatave, por të pandryshueshme kishim neverinë për rakinë. Dhe jo më kot. Ajo na kishte kushtuar shtrenjtë, duke na lënë plagë të pa shëruara prej tre brezash. Prej saj iku i plagosur rëndë gjyshi. I mori gojën dhe e la të dergjej si deng pa markë në një qoshe, derisa mbylli sytë përjetësisht. Po kështu edhe babai nuk i shpëtoi këtij fati, megjithëse duke iu trembur fatit të gjyshit, ai u bë më specialist në përdorimin e rakisë. E pinte me raste, si terjaqi e si mjeshtër i saj. Kur i erdhi fundi, gratë e shtëpisë thanë se ai ia shkurtoi vetes rrëskun, duke mos u ndarë nga rakia. Unë që e dija mirë sa i përkorë ishte ai, nuk mund t’i besoja këto fjalë grash, por as mund të hahesha me to. Sepse në mënyrë të heshtur, tek ne ishte vendosur një ligj: rakinë e pinin burrat, por konkluzionet i bënin gratë.

Unë që i takoja brezit të tretë, duhej të korrigjoja gabimet e dy të parëve. Me sforcim e privime të mëdha, ia arrita deri diku, por këto ishin më tepër arritje të sime shoqe, se sa të miat. Kush tjetër më shumë se ajo, mund ta dijë se çfarë dëme më shkaktonte mua rakia? Madje ime shoqe arrinte deri aty, sa të na kujtonte dëmet që rakia na kishte shkaktuar ndër breza, edhe pse nuk e pati fatin t’i jetonte e t’i njihte nga rrëfimet tona.

Falë këmbënguljes së gruas, ne arritëm suksesin që ta shkëpusnim çdo lidhje të shtëpisë me rakinë dhe kaq nuk është pak. Triumfe të tilla nuk arrihen lehtë. Madje shpesh ato janë aq paradoksale, sa të bëjnë t’i kthehesh përsëri rakisë, sepse është më e lehtë të përballosh dëmet e saj, se sa rrebeshin e egër anti raki.

Atë dimër e kalova keq. Sinjalin e vuajtjeve e dha një dhëmballë e prishur, e cila po bëhej e padurueshme. Asnjë pikë rakie s’mund të gjendej, për të më qetësuar dhimbjet. Kush mund të besonte se neve, të rriturve mes pjergullave e vreshtave, do na mungonte rakia? Për të më bërë ta harroja kurimin tradicional me raki, ime shoqe më gjendej pranë duke zbrazur gjithë njohuritë e saj mjekësore e duke më ngopur me çaj e aspirina, të cilat i   shoqëronte me ndonjë mallkim për rakinë, si të ishte ajo shkaktari i prishjes së dhëmballës.

—Të paktën duhet të pranojmë se në këtë rast rakia mund të shërbejë si një qetësues i dobishëm — i thashë unë duke pritur që të ma plotësonte dëshirën.

—Në asnjë mënyrë s’duhet të të shkojë mendja tek rakia, — shfryu ajo si të kisha zënë në gojë vet djallin e zi — Ti e di mirë se ç’dëme ju shkaktoi ajo.

—Po mua më dhemb dhëmballa e për këtë s’mund të bëjmë shkaktare rakinë. Disa pika sa për qetësim, s’do ishte keq që…

—Asnjë pikë, se të bëhet ves dhe pastaj…

Pastaj… dihej që mund të përsëritej historia e tmerrshme e brezave, të cilët ishin masakruar nga rakia dhe unë e mbyllja gojën e u bindesha kurave të saj me çaj e me lëng bliri, që as më ftohnin e as më ngrohnin.

Pa u qetësuar akoma dhëmballa, filloi gripi që të merrte frymën. U bllokova fare, por ime shoqe edhe të më shihte duke tundur këmbën, nuk hapte rrugë për të ma sjellë gotën e rakisë. Reumatizma gjithnjë ka qenë kërcënimi im më i madh. Si të mos mjaftonte bllokimi i hundëve, më pllakosi edhe një kollë, që m’i zbërtheu kokallat. Nuk do ishte e tepërt një pikë rakie, që ta thithja me hundë e t’i zhbllokoja kanalet e frymëmarrjes. Po ku ta gjeja atë të bekuarën, këtu ku edhe për kallot e këmbëve, bëjnë shkaktare rakinë?

Im vjehërr ishte prodhues i madh rakie. Vet nuk e pinte. Madje kur e ziente rrushin, për t’i mbajtur një gradë fortësie, e provonte duke derdhur disa pika në zjarr dhe e vlerësonte gradacionin e saj, sipas ngjyrës së flakës. Ishte shumë i përkorë vjehrri, e jo si të parët e mi që përpara rakisë humbnin çdo ekuilibër. Ai vërtet që nuk vuante nga sëmundjet e rakisë, por vuante nga ca sëmundje të tjera edhe më të rënda. Sidoqoftë, ai nuk hoqi dorë nga prodhimi i saj. Ishte e vemja gjë që e kishte me bollëk e i mbyllte shumë halle. Shtëpia ishte e madhe e fisi akoma më i madh. Ndaj kudo që shkelte nuk i mungonte shishja e rakisë, të cilën e linte si dhuratë.

Sëmundjet e mia ndoqën njëra tjetrën dhe u hap lajmi se vështirë ta nxirrja atë dimër. I shqetësuar, erdhi edhe vjehrri për të më parë. Atë vit ai sa e kishte zier rakinë dhe iu duk pa vend që të më linte pa një pikë. Me vete kishte marrë nja tre bidonë rakie, në të cilët kishte shkruar nga një etiketë me emrat e personave, të

cilëve do u dorëzohej. Këtë vogëlsi ime shoqe nuk e vuri re dhe shpërtheu në një ligjëratë të egër antialkool:

—Çfarë bën kështu baba?! A s’kemi thënë që duhet të ruhemi nga dëmet e rakisë?

—Kemi thënë moj bijë, por kjo sikur nuk shkon. Të çojë babai raki tek miqtë e të dashurit dhe të lërë pa një shishe dhëndrin!

—Shkon që ç’ke me të. Dhëndëri ka bërë vullnetarisht divorc me rakinë dhe s’do as t’i dëgjoje emrin.

E vërteta ishte se dendur e kisha menduar divorcin me time shoqe, por me rakinë s’kisha arsye. Ndaj e dëgjoja si merhum arsyetimin e saj, e cila me aq zgjuarsi argumentonte kthimin e domosdoshëm në jetën pagane, pa raki, duhan e produkte të tjera, që e dëmtojnë shëndetin e njeriut. Dhe jo vetëm unë, por edhe i ati i saj detyrohej t’i bindej e t’i merrte prapë me vete, gjithë bidonët e sjellë nga fshati.

Sado që vjehrri është me sëmundje sheqeri, ne e pritëm me liker e me lëngje frutash. Ime shoqe është xhahilë e madhe. Mbrojtëse fanatike e ligjit të prohibicionit antialkool. As ndaj të atit s’pranonte të bënte ndonjë lëshim. Kurse unë vuaja më tepër kur syri më shkonte tek bidonët prej të cilëve asnjëri s’ishte për mua. Vjehrri më kishte fshirë përfundimisht nga lista e përdoruesve të produktit të tij.

Në fund të javës, kur do largohej për në fshat, mori përpara tre bidonët dhe duke më rrëfyer etiketat, më la porosinë:

— Këto i kam për ca njerëz që u jemi borxhlinj. Ky Petrua që e ka të shkruar këtu adresën, është doktori që na shpëtoi nga vdekja mbesën, kurse ky Nakua është avokati që na shpëtoi nga burgu atë derdimenin e ngatërruar në allishverishe. Kur të shërohesh, çojua në shtëpi dhe bëju të fala prej meje.

Unë tunda kokën gjithë pikëllim. Si mund të shpërndaja rakinë e vjehrrit nëpër dashamirë, kur për vete nuk më kishte sjellë asnjë pikë? Të nesërmen e përcollëm vjehrrin me autobuzat e linjës, kurse për porosinë e tij unë nuk u kujtova më. Nuk desha të kujtohesha, për të plotësuar me dorën time një porosi që më fyente, derisa një ditë më përmendi ime shoqe:

—Këtë porosinë e babait sikur e harrove fare!

—Nuk e kam harruar, por jam në pozitë të vështirë e s’di si të bëj se në vend t’i vë vetulla, mund t’i nxjerr sytë.

—Pse?

—Sepse kjo raki nuk bën për miq të tillë të nderuar. Si duket e paska prishë dorën vjehrri…

—Kështu është kur rakinë e nxjerrin njerëz që nuk ia dinë vlerën— tha ajo gjithë keqardhje.

—Nuk është puna se ai nuk i di vlerën, por qenka bërë tamahqar dhe ka rendur pas sasisë. Pastaj…, sikur i ka marrë edhe pak thartirë. Ndoshta është ngutur për ta zierë pa u fermentuar mirë mushti.

—Po si do ja bëjmë?!

—Nuk e di, por nuk na lejohet ta turpërojmë vjehrrin, duke ia plotësuar porosinë. Një herë për një herë, lëre aty në depo, sa të stazhionohet pak e mos e ndryshon cilësinë.

—Po babait si do i themi kur të na pyes.

—Mos e vra mendjen se diçka do i themi dhe ai do e kuptojë se gjithçka e bëmë për të mirën e tij, për t’i ruajtur nderin.

Kaluan disa muaj dhe me ardhjen e pranverës, vjehrri ja behu i përtëritur e gjithë gaz. Pranvera kishte ardhur e bukur në fshat dhe pemët kishin çelur sythet.

—Këtë vit parashikojmë bollëk, se rrushi u krasit në kohë dhe me spërkatjet do u qëndroj në kokë. Por nuk më thatë si shkoi porosia e shpërndarjes së bidonëve?

Unë u ngrysa e tunda kokën i dëshpëruar, kurse ime shoqe po më shihte në sy, si do dilja nga situata. T’i flisja mjeshtrit për cilësinë e prodhimit të tij, sikur nuk shkonte, ndaj përdora mënyrën tjetër.

—Keq!- i thashë i dëshpëruar.- Ndodhi diçka që më vjen turp ta them, por që s’kam ç’bëj. Porosia nuk vajti në vendet për ku ishte nisur.

—Pse?

—Sepse unë bëra gabimin e rëndë që s’mund ta çoja pa e provuar. Por gllënjka e parë solli të dytën dhe e fundit solli hatanë e madhe. Mora një taksi dhe u nisa. Por kur zbrita, harrova për ku isha nisur. Po kështu edhe bidonët i harrova në taksi.

—Për këtë qenke mërzitur ti? Të na marrin të keqen, se neve po na zë rakia rakinë. Do sjell tjetër për ta.

Dhe vjehrri është burrë që e mban fjalën. Dërgoi të tjerë bidonë dhe kështu unë arrita dy suksese. Edhe vura në vend nderin e vjehrrit, edhe në shtëpi e hoqa mallkimin e vjetër për rakinë.