Bashkim SHEHU

Herën e parë jemi takuar në shtëpinë e Piro Mishës, në një mbrëmje miqsh, ku dëgjonim muzikë dhe vallëzonim herë pas here e bisedonim. Ishte fundi i vitit 1973. Ndonëse këto mbrëmje ishin të ndaluara, ishin të vetmet mundësi për t’u dëfryer disi në një atmosferë lirie. Pak kohë më parë i kisha dhënë Piros një tregim të shkurtër. Pasi e lexoi, më pyeti nëse mund t’ia jepte Ismail Kadaresë dhe unë, sigurisht, pranova me shumë gëzim. Isha tetëmbëdhjetë vjeç. Edhe Kadareja ishte mjaft i ri, ndonëse tashmë i kishte shkruar disa nga kryeveprat e tij dhe ishte ndërkombëtarisht i afirmuar. Ai pandehu se tregimi ishte i Piros dhe në atë mbrëmje i tha se i kishte pëlqyer. Atëherë, Piro i tregoi se nuk ishte i tiji dhe se e kisha shkruar unë. Më thirri të afrohesha. Kadareja më tha se i kishte pëlqyer dhe më bëri disa sugjerime, kryesisht në lidhje me vrojtimin e detajeve dhe përshkrimin e tyre. Më vonë, më çoi fjalë se, po të doja, mund t’i jepja tregime të tjera që t’i lexonte. Ashtu bëra dhe ca e nga ca u miqësuam. Njëkohësisht, Kadareja më jepte dorëshkrime të tij që t’i lexoja. Ky mirëbesim dhe ky besim në shijet e mia ishte, sigurisht, një nder për mua. Dikur filluan mes nesh edhe biseda haptas kundër regjimit.

____

(Shkëputur nga një intervistë më e gjatë)