Me 5 shtator 1960, një 18-vjeçar relativisht i panjohur Cassius Clay fiton medaljen e artë në kategorinë e peshës së lehtë për ekipin e boksit të SHBA-së në Lojërat Olimpike të vitit 1960 në Romë.

Vetë ai për pak nuk do të merrte pjesë në Lojërat Olimpike për shkak të udhëtimit me avion në Kaliforni dhe turbulencave të tmerrshme që hasi gjatë këtij udhëtimi.

Clay nuk ishte adhurues i fluturimeve ajrore… Por pranoi të udhëtonte me avion vetëm pasi kishte marrë një parashutë me vete në rast aksidenti…

Dhe udhëtoi në Romë dhe fitoi medaljen e artë.

Në përballjen e tij të parë kundër belgut Yvon Becaus, arbitrit iu desh të ndalonte garën në raundin e dytë, nga frika e një nokauti brutal.

Kundërshtari i tij në çerekfinale ishte rus Gennadi Shatkov, një njeri që kishte fituar medaljen e artë olimpike në kategorinë e peshave të mesme katër vjet më parë. Pavarësisht CV-së së tij mbresëlënëse, ai nuk ishte kundërshtar i frikshëm për amerikanin, i cili kaloi në një triumf 5-0 me pikë.

Ky rezultat u përsërit edhe në ndeshjen e tij të radhës kundër yllit australian Tony Madigan.

Më pas vjen finalja…

Përballë fenomenit të ardhshëm të boksit botëror, në stadiumin Palazzo dello Sport të Romës më 5 shtator 1960, ishte një figurë imponuese… Zbigniew Pietrzykowski i Polonisë.

Pietrzykowski ishte më i fortë dhe shumë më me përvojë se rivali i tij.

Polaku 25-vjeçar kaloi në avantazh dy raundet e para, por në raundin e fundit Clay doli në plan të parë. Me qëndrueshmërinë e tij superiore dhe kombinimet e shpejta ne raundin e trete amerikani e la rivalin e tij në një gjendje të “mjeruar”, megjithese në këmbë deri në rënien finale të gongut.

Gjyqtarët ishin edhe një herë unanimë: Ari olimpik ishte i tij.

Më pas Clay citohet të ketë thënë: “Nuk e hoqa atë medalje për 48 orë. E mbajta edhe në shtrat. Nuk kam fjetur shumë mirë se më duhej të flija në shpinë që të mos më prishej medalja. Por nuk më interesonte, isha kampion olimpik”.

Nga Saimir Z. KADIU