“Sapo është mbyllur hetimi në lidhje me keqpërdorimin e supozuar të financimit nga programi IPARD II i BE-së në Shqipëri”. Lajmi është konfirmuar për ‘Report TV’ nga Zyra Europiane Kundër Mashtrimit Ekonomik (OLAF) e cila bën me dije përfundimin e hetimeve të fondeve të dhëna nga BE për bujqësinë në Shqipëri gjatë viteve 2014-2020.

Komisioni Europian pezulloi përkohësisht pagesat nga programi për Shqipërinë në pritje të gjetjeve përfundimtare të OLAF, ndërsa pas kërkesës së drejtuar zyrave qendrore të institucionit të lartë në BE, zëdhënësja e shtypit në Komisionin Europian, Victoria Hansson Malmlof, bën me dije si vijon: “Si rezultat i përfundimit të hetimit, OLAF tani ua ka transmetuar raportin përfundimtar dhe rekomandimet e saj autoriteteve kompetente përkatëse”

Por çfarë masash konkrete do të merren mbi këtë çështje dhe sa do të ndikojë kjo në rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian?

“Për të respektuar konfidencialitetin e hetimit, të çdo procedimi të mundshëm pasues, të të drejtave procedurale dhe të dhënave personale, OLAF nuk është në një pozicion për të komentuar më tej në këtë fazë”