“Lufta kundër korrupsionit dhe bashkëpunimi ndërkombëtar” ka qenë tema e tryezës që ka mbledhur sot në një konferencë, Ministrin e Drejtësisë dhe Koordinatorin Kombëtar kundër Korrupsionit së Shqipërisë, Ulsi Manja, Presidentin e ANAC,  Autoriteti Kombëtar Antikorrupsion në Itali, Guseppe Busia si dhe një sërë krerësh të institucioneve shqiptare si Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu, Komisioneri për të Drejtën e Informimit, Besnik Dervishi, Drejtoreshën e Agjencisë së Prokurimit Publik, Reida Kashta, etj.

Presidenti i ANAC, Guseppe Busia tha se: “Institucionet tona duhet të angazhohen në luftën kundër korrupsionit, me një angazhim plotësues, për të kuptuar se korrupsioni ndryshon në kohë, përshtatet gjatë kohës dhe kërkon nga subjektet që merren me të, strategji dhe armë të reja, për ta luftuar dhe parandaluar dhe për të shmangur që sidomos në momentet e vështira të prodhojë pasoja të rënda”.

Në fjalën e tij të rastit, kreu i KLSH, Arben Shehu përmblodhi një ekspoze të punës së KLSH-së duke e vënë theksin në angazhimet konkrete që institucioni ka ndërmarrë në drejtim të luftës ndaj këtij fenomeni.

KLSH ka mbështetur dhe është angazhuar në çdo iniciativë ndërinstitucionale brenda dhe jashtë vendit, si dhe ka përmbushur detyrat funksionale me profesionalizëm dhe përgjegjësi të lartë në drejtim të konstatimit dhe parandalimit të rasteve që përbëjnë korrupsion.

Kryetari i KLSH-së, gjatë fjalës së tij, shprehu gjithashtu falënderimet e rastit ndaj z. Giuseppe Busia, President i ANAC, një agjenci profesionale e cila vijon të japë mbështetjen dhe asistencën e saj në ngritjen e kapaciteteve profesionale të stafit të KLSH-së.