Partia Socialiste ka mandatuar Taulant Ballën, Elisa Spiropalin dhe Damina Gjiknurin për procesin e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit, pas mbarimit të mandatit të Ilir Metës.

Kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së grupit tha se ky proces ndodh brenda Kuvendit të Shqipërisë dhe dëshira është për konsultim e dialog nga të gjitha palët.

“Në konferencën e kryetarëve të ketë një kalendar që do të çojë në zgjedhjen e presidentit të Republikës jo më vonë se 24 maj duhet të ketë filluar procesi i zgjedhjes së presidentit. Shumica parlamentare do të zhvillojë një proces. Dëshira është për proces të hapur konsultimesh, brenda suazit të dialogut e konsultimeve. Bashkë me mua do të jenë Spiropali e Gjiknuri si të mandatuar nga grupi parlamentar për të konsultuar me grupet e tjera parlamentare, për një dialog konstruktiv për procesin e zgjedhjes së presidentit”.

Sipas tij “konsultimet kanë filluar që sot brenda grupit parlamentar që deputetët të vijnë me propozime konkrete që ne të kemi gati një listë të shkurtër me kandidaturat e mundshme. Procesi i zgjedhjes së presidentit përfshin edhe një proces teknik si ai i depozitimit të kandidaturave”.

I pyetur se me cilin grup të Partisë Demokratike do të bisedohet, Balla tha se PS do të flasë me grupet parlamentare pasi Presidenti zgjidhet në Kuvend.

“Shqipëria sot më shumë se kurrë ka nevojë për një president normal, dhe natyrshëm duke qenë se nuk kemi pasur një president mbi palët por palë e palëve të opozitës. Ne na duhet që Shqipëria në vitin 2022 të zgjedhë një president në aspektin diametralisht të kundërt me atë që ka përfaqësuar Ilir Meta. Shqipëria do të ketë një president ose presidente shumë më të mirë dhe të pakrahasueshëm me Metën”.

Balla deklaroi se gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist, u është kërkuar deputetëve që gjatë fundjavës të jenë në terren dhe të vinë me rezultate konkrete.