Nga Sejdin CEKANI

(Të gjithë e mbajnë mend kur, para dy vjetësh, mbërritën në Shqipëri afganët që përndiqeshin prej talebanëve. Po ashtu, na kujtohen edhe “udhëheqësit” vendorë apo nga paria e Tiranës, kur shkonin për t’iu dhënë zemër, por bëheshin qesharakë me “rrëfimet” e tyre për fiq e kalim kufiri në moshë fëmijërore.)

Në mëngjes, kur u nisa për në punë, takova berberin e lagjes te rrugica përballë.
– Isha një çikë andej nga afganët, – më tha, sapo e përshëndeta.
– Po ç’deshe atje që pa gdhirë? Apo ishin bërë për t’u qethur? – e pyeta.
– Jo, jo për t’i qethur. Shkova t’u jepja pak zemër, se kanë nevojë të shkretët. Po edhe është bërë si punë mode tani kjo.
– Aha… – ia ktheva, se nuk po e kuptoja ku donte të dilte dhe vazhdova rrugën.
Po ndërkaq berberi më zuri për krahu e më ndaloi.
– Si nuk je pak kureshtar, o derëbardhë? Nuk po më pyet një herë si u dhashë zemër, çfarë u thashë?
Meqë nuk po më ndahej e po më afrohej pak si shumë, nxora menjëherë gojashkën për t’u mbrojtur nga kovidi dhe e vura menjëherë.
– Hë, pra, vazhdo…
– Shiko… I lashë pa mend, kupton? U futa mes tyre dhe u tregova se, ashtu siç ikën ata nga frika e talebanëve dhe lanë vendin e tyre, dikur edhe unë, në moshën 11-vjeçare, ia mbatha nga vendi im prej frikës së… topit.
Më shikoi pak vëngër me një nënqeshje sikur po bënte të zgjuarin dhe vazhdoi:
– U thashë se atëherë prindërit donin të më bënin volejbollist, po unë e kisha frikë topin kur fluturonte. Tmerr fare e kisha. Dhe ëndërroja të bëhesha pistolier. Ishin ato pistoletat me ujë atëhere. Një mrekulli ishin ato. I mbushje me ujë, tërhiqje këmbëzën dhe… Po ku ta gjeje këtu pistoletën me ujë? E kështu, për ta realizuar ëndrrën time, në një natë të errët e me stuhi, i hyra detit me not dhe mbërrita në një ishull të Greqisë. Atje, më në fund, gjeta pistoletën me ujë dhe shpëtova prej… topit.
– Po mirë, i hëngrën afganët këto kumbullat e tua?
– E pse jo? Atyre po u pëlqejnë edhe përrallat me fiq, edhe përrallat me futbollistë, arratisjet nëpër male me borë… Për ta lezetosur pak, u thashë se u arratisa nga deti. Tani, do ta dëgjosh edhe mbylljen?
– Jepi, – ia ktheva. – Qenka dita jote sot.
– Pasi e gjeta atë që ëndërroja, pistoletën me ujë, nuk e heq më nga dora, u thashë. Edhe në berberhane, para se t’i qeth klientët, ua lag flokët me pistoletë me ujë. U çmeritën fare afganët! Prit kur të vijnë të mbajnë radhë tani para berberhanes. Hahaaa…