Nga Virgjil KULE

Kanë mbetur disa gjëra të këndshme edhe per moshën e madhe. Tashmë kujtimet nga çdo verë pushimesh janë shtresëzuar në qelëzat e trurit dhe kumtojnë ndjesi të njohura. Psh: Oh, këtë qiell të shndritshëm e kam parë dikur. Më kujtohet mirë aroma e detit në këtë stinë. Edhe kjo bisedë me duket e përsëritur. Edhe këtë pamje diku e kam parë etj etj.
Tashmë kurioziteti është bërë më i kufizuar, por ndërkaq kujtimet kanë pasuruar përvojën. Dhe përvoja të thotë që çuditë e botës nuk mbarojnë kurrë edhe sikur të rrosh 1000 vjet. Pervoja të shërben që të zgjedhësh me kujdes ndër gjërat e shumta që ofron jeta për të zbuluar e shijuar. Aq sa mund të bluash në stomakun që ka filluar të mos e tresë mirë ushqimin.
Por të flasim për zakonet që mbeten e moshohen bashkë me ty. Më kujtohet Doris Lessing në një libër (më duket “Alfredi dhe Emilia”) përshkruante se si prindërit e saj kishin mbartur me vete zakonet e tyre angleze kur u vendosën në Rodezi. Megjithëse jashtë bënte një vapë përvëluese ata do pinin çajin saktësisht në orën 5 mbasdite, siç bënin në Londër. Por tani në zheg. Qeshja me vete kur lexoja për këtë që mua më dukej budallallëk me brirë.
Qesh edhe sot e kësaj dite kur shoh njerëz jo dhe fort të moshuar që vazhdojnë të veprojnë e të mendojnë njësoj si vite më parë megjithëse rrethanat kanë ndryshuar…
Ndoshta mësimi më i vyer që vlen në procesin e pashmangshëm të moshimit është pikërisht ky: Asgjë vetjake nuk vlen me shumë se sa kultivimi i aftësisë për të rifreskuar magazinën e trurit. Truri nuk i ka muret elastike. Duhet nxjerrë diçka jashtë që të hapet vend për diçka tjetêr. Hidh pa ngurrim poshtë çdo gjë të vjetëruar. Hap vend për të rejat. Por kujdes! Gjërat që s’ke mundur t’i bësh kur kishin kohën e tyre, mos u mundo t’i bësh tani. Ka shumë gjëra të tjera të reja, të përshtashme për moshën që ke. Bota ka gatuar gjellë të shijshme për çdo moshë…