Nga Grigor JOVANI

A gënjejnë poetët? Sigurisht, shpesh herë! Veçse kanë një dallim esencial me gënjeshtarët e tjerë. Të parët që besojnë gënjeshtrat e tyre janë ata vetë. Ngaqë kanë ndërtuar brenda dhe rreth vetes një botë tjetër, ireale, për të dubluar atë që nuk mund ta durojnë kurrsesi, realen. Vetëm kështu mund ta përballojnë. Për rrjedhojë, janë gjithmonë në një lojë të vazhdueshme. Me veten dhe me të tjerët. Besojnë dhe luajnë skenarin që kanë shkruar ata, jo atë që u dikton regjisori. Kësisoj, nuk ndjejnë asnjë faj që bota e dytë, ajo që kanë zgjedhur për vete, është për të tjerët e gënjeshtërt. Jo vetëm që s’kërkojnë nga askush të falur, por këmbëngulin në të tyren. Stisin gjithfarë historirash, të shumtat të mrekullueshme, që të mahnisin me bukurinë dhe… çiltërsinë që i karakterizon, vetëm dhe vetëm të mbrojnë tezën e tyre për botën dhe të vërtetën, atë poetiken që u përshtatet.
Ndërkohë, të tjerët kanë kandar të ndryshëm, pëlqejnë “përrallat” që stisin poetët, por nuk u besojnë. E kanë më të lehtë dhe e quajnë natyrshme të besojnë shkencëtarët dhe filozofët, që ndonëse as u afrohen poetëve për nga bukuria e rrëfimit, të thënat e tyre merren si bazë njohjeje e botës dhe konsiderohen dritë për të sotmen dhe të ardhmen.
“Po shpirti?”, ulërijnë të fyer poetët, ngaqë me të vërtetë duan të shpëtojnë shpirtin e botës.
“Atë e shpikët ju, të fantazuarit, për të përligjur përrallat tuaja!”, u përgjigjen pragmatistët.
Atëhere, poetët zemërohen keqaz me botën. Gjithmonë janë në këtë gjendje, të zemëruar. Për këtë shkak mbyllen tek bota e tyre, ajo tjetra. Bashkëbisedojnë me “alter egon” e tyre. Gjersa e jejnë vetëveten këtu, ç’u duhet bota e pragmatistëve? Vetëm neveri mund t’u shkaktojë. Kështu që, të ndodhur vazhdimisht mes këtij realiteti ireal, të gënjeshtërt, doemos që do të gënjejnë. Është i vetmi sakrilegj që i kanë lejuar vetes. Ngaqë nuk e bëjnë për të dëmtuar të tjerët, por për të mbijetuar ata vetë. I vetmi që e ka kuptuar këtë si një domosdoshmëri ekzistence, për ironi të fatit, ishte një shkencëtar, Darvini, me “Teorinë e Ndryshimit, Seleksionimit dhe Përshtatjes së Specieve”. Specie më të përshtatura se poetët nuk mund të ekzistonin në natyrë.
Nuk do t’i thoja të gjitha të mësipërmet, nëse nuk do të më kujtohej një histori e tillë. Me një poet brilant, Lamartinin. Është e çuditshme, por edhe treguese historia ne tij. Karakteristike për specien e përzgjedhur të poetëve.
Disa herë Lamartini këmbënguli publikisht në një fakt të tillë: njëra nga lirikat e tij më të famshme nuk ishte krijuar si zakonisht, me mendje të frymëzuar dhe penë. Jo! Lamartini sjell një variant të vetin, për të cilin nuk pranon asnjë diskutim..
Shëtiste një pasditeje, teksa perëndonte, anës një pylli. Romantizëm i gjallë. Zogj që cicërojnë, freski, blerim dhe mendja e tij e hapur kah natyra, si një magnet që mund të thithë gjithçka në hapësirë. Shkëputet nga qielli dhe merr udhën drejt mendjes së tij një yll. Ky trup qiellor ishte si të thuash një postier hyjnor, mbartëte mbi vete një vjershë të përfunduar, lirikën në fjalë. Ia lë në mendje dhe ai, Lamartini pra, ndjeu nevojën të kthehej menjëherë në shtëpi dhe ta hidhte vjershën në letër. Sikur zbatonte një porosi hyjnore. Vetëm sa e kopjoi, nga mendja në kartë. Nuk bëri gjë tjetër. Vjersha i kishte ardhur nga lart e përfunduar…
Lamartini ngulte këmbë për këtë që i kishte ndodhur me vjershën në fjalë. Shumë kohë më pas. Shpesh jerë nervozohej. Habitej: përse nuk e besonin të tjerët?!
Ç’ishte gjithë kjo? Gënjeshtër? Psikopati? Ec e vërtetoje…
Ndodhi dhe kjo. E vërtetuan shumë kohë më pas kërkuesit dhe studjuesit e veprës së tij. Gjetën në sirtaret e shtëpisë së lirikut të famshëm disa fletore, ku vjersha në fjalë ishte shkruar në një numër të madh variantesh, me korrigjime dhe nënvizime, siç ndodh gjithmonë me një krijim, që përpunohet vazhdimisht, gjersa merr formën përfundimtare.
Kishte gënjyer liriku i madh frëng, Lamartini. Nuk i kishte ardhur si përndritje nga qielli. Një herë e përfundimisht. E kishte formuar lirikën e tij me punë, me shumë mund, gjatë një kohe të gjatë.
Përse gënjeu botën Lamartini? E shpjegova në fillim. “Të përsëritësh të përsëriturat, është gomarllëk!”, theksonte një nga njerëzit më të mençur në botë, Sanço Panço i Servantesit.