Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas ngjarjes tragjike të ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në komisariatit të Kavajës ku një i ri humbi jetën pasi u vetëvar.

Meta e cilëson të papranueshëm faktin që një qytetar humb jetën brenda institucioneve shtetërore.

Kreu i shtetit ka bërë thirrje për zbardhjen sa më shpejt të rrethanave të vdekjes së të riu dhe “vendosjen përpara drejtësisë të përgjegjësve për këtë tragjedi të pajustifikueshme”.

“Duke i shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes së të ndjerit Ilvi Meta, e konsideroj tepër të rëndë dhe të papranueshëm faktin që një qytetar humb jetën brenda institucioneve shtetërore, sikundër është Komisariati i Policisë së Kavajës.

Humbja e një jete në një moshë fare të re brenda Komisiariatit të Policisë përbën jo vetëm një tragjedi familjare, por trondit thellësisht besimin e qytetarëve tek organet ligjzbatuese.

Bëj thirrje për zbardhjen sa më parë të rrethanave të vdekjes tragjike të të riut Ilvi Meta dhe vendosjen përpara drejtësisë të përgjegjësve për këtë tragjedi të pajustifikueshme”, thotë presidenti.

31-vjeçari Ilvi Meta u vetëvar mbrëmjen e së enjtes në Komisariatin e Kavajës, disa orë pasi ishte shoqëruar për një vjedhje.