GjKKO pranon kërkesën e ish ministrit të Mbrojtjes i cili hoqi dorë nga gjykimi i shkurtuar për të vijuar të procedohet me gjykim të zakonshëm ku ndër të tjera kërkon thirrjen e 90 dëshmitarëve në procesin gjyqësor të hapur ndaj tij për tragjedinë e Gërdecit të 15 marsit 2008.

Në listë janë personalitete të njohura të NATO-s, gjeneralë por dhe ish ministra të Mbrojtjes si dhe ish-zyrtarë të lartë të Mbrojtjes së SHBA. Konkretisht bëhet fjalë për dëshmitarë ish-ministrat e Mbrojtjes së Italisë, Gjermanisë e Maqedonisë.

Gjithashtu në listë janë dhe emrat e ish ministrave të kabinetit qeveritar të Berishës, ish sekretari i Pergjithshëm i Këshillit të Ministrave, Myqerem Tafaj, ish kreu i SHISH, Bahri Shaqiri, por dhe ish ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli.

Në cilësinë e dëshmitarit kërkohet që të thirren për t’u pyetur të gjithë dëshmitarët e dëgjuar në procesin gjyqësor të zhvilluar lidhur me ngjarjen e Gërdecit; posaçërisht, kërkohet të pyeten në këtë cilësi viktimat e mbijetuara dhe familjarët e viktimave që kanë humbur jetën, si dhe ish-të pandehurit që janë deklaruar të pafajshëm me vendim të formës së prerë.

Në cilësinë e të pandehurve në një procedim të lidhur, kërkohet të thirren të gjithë personat e akuzuar dhe të dënuar në procesin gjyqësor të zhvilluar lidhur me ngjarjen e Gërdecit, duke përfshirë zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes, SHPFA, përfaqësues të MEICO, të ALBADEMIL.

Gjithashtu ai kërkon të kryhet dhe një eksperiment me anë të së cilës kërkon të vërtetojë se nuk kemi të bëjmë me një shpërthim aksidental por të qëllimshëm. Avokatët e Mediut kërkojnë ripyetjen e ekspertëve të ngarkuar nga prokuroria në fazën e hetimit me kryerjen e eksperimentit për përcaktimin e shkakut të zjarrit në repartin e demontimit të municioneve në Gërdec.

Pse akuzohet Mediu?
Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu akuzohet për shpërdorim detyre në lidhje me procesin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve që është zhvilluar në ambientet e ish “Brigatës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, në bashkëpunim me funksionarë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe persona që kanë pasur cilësinë e ushtarakut kuadër komandues, ka nxjerrë disa akte nënligjore në kundërshtim me ligjin. Sipas SPAK, Mediu ka dëmtuar interesat e shtetit dhe ka favorizuar 2 kompanitë, ‘SAC’ dhe ‘Albademil’. Për këtë çështje ai akuzohet për “shpërdorim detyre” referuar Kodit Penal dhe “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues.

Pjese e listes me 90 deshmitare

Myqerem TAFAJ, ish-Sekretar i Pergjithshëm i Këshillit të Ministrave, i cili ka koordinuar proceset ndërmjet ministrive për vendimmarrje të qeverisë, përfshi edhe VKM 138/2007 për demontimin.

Bahri SHAQIRI, ish- Drejtori SHIK, i cili ka pasur detyrë për ndjekjen e veprimtarive që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare. SHAQIRI thirret të dëshmojë për informacione apo akte të mundshme në Gërdec të deklaruara prej tij pranë Këshillit të Sigurisë në mbledhjen e datës 21.03.2008.

Ahmet PREMÇI, ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit në periudhën e ngjarjes së Gërdecit, i cili thirret të dëshojë për informacione dhe rezultate hetimi lidhur me veprimtari kriminale në Gërdec.

Sajmir KODRA, ish-Ispektor i Përgjithshëm pranë Kryeministrit për Shërbimin Informativ Kombëtar në kohën e ngjarjes, i cili ka pasur detyrën e vlerësimit të informacioneve të ardhura nga qëndra operacionale e FA dhe nga Shërbimi Informativ Kombëtar.

Gëzim MUSABELLIU, ish-deputet i Komisionit të Sigurisë në Kuvend, i cili ka realizuar kontrollin e situatës së depove të armatim- municionit dhe ka qenë pjesëmarrës në seancën dëgjimore me Ministrinë e Mbrojtjes, Shefin e Shtabit dhe përfaqësuesin e ekipit amerikan të CUBIC.

Leonard DEMI, ish-deputet, kryetar i Komisionit të Sigurisë në Kuvend, i cili ka realizuar kontrollin e situatës së depove të armatim- municionit.

Pandeli MAJKO, ish-Ministër i Mbrojtjes, i cili ka miratuar dokumentat kryesore të sigurisë, urdhërat për menaxhimin e municionit të tepërt dhe shkatërrimin e tyre, si dhe kontratën me kompanitë private të financuara nga donatorët për demontimin.

Besnik MUSTAFAJ, ish-Ministër i Jashtëm në periudhën 2005- 2007, i cili ka qënë i ngarkuar për koordinimin e Komisionit Ndërministror të Integrimit në NATO, në përgatitjen dhe implementimin e detyrimeve të MAP (plani i detyrimit për anëtarësimin), si dhe negociatori kryesor në Këshillin e Atlantikut në Bruksel..

Ridvan BODE, ish- Ministër i Financave për periudhën 2005-2013, pjesë e miratimit të vendimit të Këshillit të Ministrave nr.138/2007 për demontimin e municioneve të tepërta, si dhe miratimin e vlerësimin e buxhetit të mbrojtjes në kuadër të anëtarësimit në NATO.

Aldo BUMÇI, ish- Ministër i Drejtësisë në kohën e miratimit të vendimit të Këshillit të Ministrave për VKM nr.138/2007 për demontimin e municioneve.

Mimi KODHELI, ish-Ministre e Mbrojtjes për periudhën 2013- 2017, periudhë në të cilën ka vazhduar procesi i demontimit, proces për të cilin ka vazhduar bashkëpunimin me NATO-n në të njëjtin kuadër veprues; do të pyetet lidhur me kuadrin ligjor të zbatuar dhe mbi raportet me Z.MEDIU, edhe si përfaqësuese e Kuvendit në cilësinë e Zv.Presidentes së Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

Besnik BARAJ, Ish zëvendës Ministër i Mbrojtjes, të cilit i janë deleguar kompetenca fuqiplotë në nënshkrimin e marrëveshjeve me partnerët për kryerjen e demontimit.

Gjeneral Major Vito DI VENTURA, ish-Komandant i Shtabit të NATO-s për Tiranën për periudhën 2005-2006. Z.VENTURA ftohet të dëshmojë në Gjykatë rreth bashkëpunimit me Ministrinë e Mbrojtjes gjatë kohës së drejtimit të NATO-s në Tiranë, në kuadër të plotësimit të detyrimeve për anëtarësi në NATO; plotësimet e detyrimeve të MAP dhe PARP, raportet civilo-ushtarake; municionet dhe armatimet e tepërta, si dhe angazhimin e NHQ Tiranë në koordinimin me përfaqësi diplomatike të vendeve anëtare të NATO-s në Tiranë, për të mbështetur FA në demontimin e municioneve të tepërta.

Gjeneral Brigade Georgios MOUROUTSOS, Gjeneral Brigade, ish- Komandant i Shtabit të NATO-s për Tiranën për periudhën 2006- 2007.

Z.MOUROUTSOS ftohet të dëshmojë në Gjykatë rreth bashkëpunimit me Ministrinë e Mbrojtjes gjatë kohës së drejtimit të NATO-s në Tiranë në kuadër të plotësimit të detyrimeve për anëtarësi në NATO; plotësimin e detyrimeve të MAP dhe PARP edhe në fushën logjistike, municionet e tepërta, raportotet civilo-ushtarake; municionet dhe aramatimet e tepërta, si dhe koordinimin me përfaqësi diplomatike të vendeve anëtare të NATO-s në Tiranë, për të mbështetur FA në demontimin e municioneve të tepërta.

Kolonel Louis L. BOROS dhe Z.Gregory CANNATA, drejtues të ekipit CUBIC, pranë Ministrisë së Mbrojtjes, të zgjedhur nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes për reformat dhe modernizimin e FA nga viti 2006 deri në 2013

Z.BOROS dhe Z. CANNATA thirren të dëshmojnë për vlerësimin e situatës të depove të armatim municionit dhe propozimet që ata kanë bërë me Shtabin e Përgjithshëm dhe me Zyrën e Kryeministrit, takimin më 28.02.2008 me Shtabin e Përgjithshëm për cështjen e demontimit; marrëdhëniet me Ministrin MEDIU dhe me Shtabin e Përgjithshëm; takimin me Kryeministrin dhe Ministrin MEDIU më 14 Mars (1 ditë para shpërthimit) për situatën e armatim municionit, si dhe praktikat e demontimit mbas ngjarjes së Gërdecit.

Gjeneral Major Buzz KIEVENAAR, ish-Drejtues i ekipit SAIC, i zgjedhur nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes nga viti 2001 deri në 2006 për modernizimin e FA.

Z. KIEVENAAR ftohet të dëshmojë për vlerësimin e situatës së armatimeve dhe municioneve të bërë në vitin 2001 nga DOD(Departamenti i Mbrojtjes) me kompaninë SAIC të cilën ai drejtonte, hartimin e strategjisë ushtarake; ligjin për pushtetet dhe autoritet në FA dhe përgjegjësinë civile dhe ushtarake.

Si ndodhi tragjedia e Gërdecit?
Ishte data 15 mars (e shtunë), 2008 rreth orës 12:05, ku si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm në një “fabrikë” për demontimin e armëve humbën jetën të paktën 26 persona, punëtorë të kësaj fabrike “vdekjeje” e fëmijë të zonës. Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa që shkatërroi 3000 banesa e biznese. Një “betejë” e gjatë dhe e ashpër po zhvillohet mes familjeve të viktimave, qeverisë dhe drejtësisë, me bazë akuzat e ndërsjellta mes palëve. Për këtë tragjedi prokuroria dërgoi 28 të pandehur në gjykatë, mes tyre edhe Mihal Delijorgjin, president i shoqërisë “Albademil”, Ylli Pinari, drejtor i kompanisë MEICO dhe Dritan Minxholli, administrator i fabrikës, të cilët janë liruar nga burgu pas kryerjes së dënimeve përkatëse. Në shkurt 2013, Gjykata e Apelit reduktoi me 1/3 dënimin e dhënë nga Gjykata e Tiranës për tre të pandehurit kryesorë të dosjes “Gërdeci”. Ndërsa vijon gjyqi ndaj Fatmir Mediut, aktualisht kryetari i Partisë Republikane dhe deputet në Parlament.