Nga Foltorja me demokratët në Tepelenë, ish-kryeministri Sali Berisha ka zbuluar edhe pjesë nga diskutimi i tij me Enkelejd Alibeajn dhe Gazment Bardhin dy ditë më parë në selinë e Partisë Demokratike.

Berisha tregoi se Alibeaj i tha se me të “non grata” nuk fiton PD-ja. E në këtë pikë, Berisha risolli në kujtesë vitin e largët ’97, kur edhe në atë kohë ambasadorë i dolën kundër dhe në vitin 2005 Partia Demokratike erdhi në pushtet.

Ish-kryeministri premtoi se qeverisja e ardhshme e PD do të jetë më e suksesshme se periudha 2005-2013 kur në pushtet ishin demokratët.

“Ish-kryetari i PD dha dorëheqjen, siç e tha vetë ai, për zhvillimet nga 9 Shtatori deri sot. Unë u them ju se asnjë demokrat i Tepelenës, Gjirokastrës apo e Shqipërisë, që gjatë këtyre muajve ndoqi ish-kryetarin, nuk ka asnjë përgjegjësi për vendimin e 9 Shtatorit, sepse ai nuk pyeti asnjeri mbi tokë, nuk pyeti njeri, nuk pyeti institucion. Ndaj dhe askush s’ka të drejtë të akuzojë tjetrin për këtë as dhe të pranojë të bëhet bashkëautor në një vendim të tillë. Dje po hiqeshin dyert. A mund të imagjinoni? E ardhmja me dhjetëra ton bunker? A ishin normal apo s’ishte normal ai që e bëri nuk mund të them. Por ai dha dorëheqjen. E megjithatë selia po hapet për të gjithë demokratët. Vlerësoj shumë frymën e pajtimit që ekziston në bazë. Ju garantoj që kjo frymë pajtimi ekziston edhe në qendër, por ndonjë problem i vogël ekziston.

Para se të bëja prononcim, takova palën ndryshe. Dhe çfarë u thashë? Këto fjalë u thashë. Por në dialogun që pata me z.Alibeaj më thotë që me non grata nuk fiton PD. Me ty non grata, prandaj duhet të japësh dorëheqjen.

I them, edhe në ’97 nuk kishte njeri që besonte se ne do fitonim, por ja që fituam, erdhi 2005 dhe demokratët ja dolën të ndryshojnë Shqipërinë sa kurrë ndonjëherë në historinë e saj. Imagjinoni sikur unë t’u përmbahesha parashikimeve të vitit ‘98 dhe të mos bëja përpjekjet më të mëdha për rikthimin e PD në pushtet.

Po kur më erdhi TROJKA? Më erdhi TROJKA botërore, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, djali i Andrea Papandreut, George Papandreu. Dhe vijnë ata në ‘98, i sjell një ekstremist i majtë që kishte milituar në grupet marksiste-leniniste, qëllimi kryesor i vizitës ishte që t’i sillnin mesazhin e botës Sali Berishës që të largohet nga politika. Më thërrasin në zyrat e OSBE dhe më thonë kështu-kështu. Po pse u them unë? I dëgjova dhe meqënëse këta e lanë George të flasë në emër të tyre, i them dëgjo: Në Ballkan burrë më të mençur se babën tënd nuk ka patur. Pse tha? Se u tha grekëve Zoti mos e lëntë Greqinë në duart e George. Ja u tha. Ai kishte qenë profet.

Se për fat të keq Greqia ra në duart e George. George shkon në Bruksel dhe këtej luftonte të djathtën, dhe Angela Merkel e Nicola Sarkozy absolutisht gjithë natën e mbajnë samitin deri sa i bindën të gjithë shefat e qeverive që Greqia të marrë kaq miliardë për krizën. Çfarë bëri George? Erdhi në Athinë dhe tha tani do bëj referendum. Imagjinoni çfarë hileje i bënë Europës. Nejse, atë e rrëzuan grekët brenda jave.

2005-2013 ishin vitet më të suksesshme të një qeverie. Vitet e ardhshme do jenë absolutisht më të suksesshme se vitet 2005-2013. Ndaj dhe ne atje këtë debat kështu si e bëj me ju, e bëj dhe me ata, e bëra me Enkeledin, e bëra me Gaz Bardhin, ne s’kemi të përjashtuar. Po të ishte në atë zyrë, do takoja edhe Lul Bashën. Jam i detyruar të mbroj interesat tuaja. Po të dëgjoja unë në ‘98 ambasadorët e merrni vesh se ku do ishim, ndaj ju ftoj të bashkohemi dhe të vazhdojmë këtë betejë”, tha Berisha.