Kryetari i Kontrollit Lartë të Shtetit, Arben Shehu zhvilloi një takim me ambasadorin e Zvicrës në Tiranë, Adrian Maître.

Në fokus të takimit ishte vullneti i Qeverisë Zvicerane për të bashkëpunuar dhe mbështetur Kontrollin e Lartë të Shtetit si institucioni i pavarur për kontrollin e financave publike në Shqipëri.

Një vëmendje të veçantë pati auditimi i PPP-ve në kuadër të projektit të nënshkruar mes KLSH dhe SECO disa muaj më parë mbi “Forcimin e auditimit të jashtëm lidhur me mbikëqyrjen e Koncesioneve  dhe Partneriteteve Publik-Privat”.

Objektivi kryesor i këtij projekti është rritja e kontributit të KLSH për të forcuar llogaridhënien qeveritare dhe transparencën në përdorimin e fondeve publike, përmes auditimeve më profesionale dhe gjithëpërfshirëse të koncesioneve dhe partneriteteve publik-privat.

Gjatë fjalës së tij Maître vlerësoi hedhjen e hapave të para të këtij projekti duke nënvizuar se institucionet efektive të një shteti efiçient janë parakusht i një ekonomie të qëndrueshme, rritjes së qëndrueshme dhe të përhapjes së prosperitetit.

“Si partner zviceran, ne do të vazhdojmë të mbështesim KLSH-në me ekspertizë teknike si pjesë e mbështetjes së madhe që Zvicra ka dhënë me asistencë për manaxhimin e financave publike ku përfshihet: menaxhimi i borxhit, administrimi i taksave, kontabiliteti publike, statistikat financiare dhe financat vendore, pasi gjykojmë se një mbikëqyrje efektive e financave publike e plotëson dhe e përsos këtë cikël të rëndësishëm të administrimit publik në Shqipëri”, u shpreh Maître.

Kryetari i KLSH, shprehu vlerësimin e institucionit për vizitën dhe për më tepër për ndihmën e rëndësishme që shtetit zviceran jep ndaj vendit tonë.

Shehu shprehu vullnetin për angazhim maksimal për t’i dhënë tonin e duhur institucional të gjithë proceseve audituese dhe shprehu sigurinë se KLSH do të jetë garant i ruajtjes së ligjit.