Katër shtetasit çekë të shoqëruar të dielën teksa fotografonin brenda uzinës së armëve në Poliçan do hetohen në gjendje të lirë.

Ata kanë pretenduar se janë turistë dhe janë ngatërruar në tunelet e ish-uzinës së armëve.

Por prokuroria e Beratit do të vijojë hetimet lidhur me incidentin.

Policia e Beratit sqaroi një ditë më parë se fillimisht në ambientet e jashtme të Uzinës Ushtarake Poliçan janë konstatuar shtetaset P. B., 38 vjeçe dhe M. M. (G), 34 vjeçe, me kombësi çeke, me aparat fotografik.

“Shërbimet e Policisë në bashkëpunim dhe me Policinë Ushtarake, pas informacioneve të marra se në brendësi të tuneleve të Uzinës, ndodhen dhe dy shtetas të tjerë, kanë ushtruar menjëherë kontroll të imtësishëm. Në brendësi të njërit prej tuneleve, gjatë kontrollit, janë konstatuar dhe dy shtetasit e tjerë, TH. M., 51 vjeç, dhe R. B., 42 vjeç, të dy me kombësi çeke”, thotë policia.

Ngjarja në Poliçan pasonte incidentit të ndodhur në ish-uzinë e armëve në Gramsh ku dy shtetas rusë dhe 1 ukrainas tentuan të hyjnë mbrëmjen e së shtunës.