Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj deklaroi në një konferencë për mediat këtë të hënë se paketa e dytë mbështetëse për qytetarët, do të jetë pothuajse e njëjtë si e para.  Ajo nënvizoi se kjo paketë do të bëhet publike në shtator.

“Ne do të vazhdojmë të kemi një politikë mbështetëse për familjet në nevojë. Ne kemi bëre një akt normativ për të gjitha masat që do të marrim. Paketa përfshin masat e marra deri më tani qoftë për mbështetjen e bizneseve ashtu edhe te familjeve. Paketa e dytë do bëhet publike në shtator, dhe do jetë pothuajse e njëjtë me paketën e parë. Ka pasur ngadalësim të investimeve këtë vit prandaj ne morëm përsipër një pjesë së kostove të ndërtuesve të kontratave publike. Detajimi i paketës së dytë do të bëhet me VKM dhe do të përfshijë muajit në vijim”, tha Ibrahimaj.

Paketa e parë, e cila është aktualisht në fuqi, parashikon  indeksimin e pensioneve me 3.3 miliardë lekë, kompensim me 3 mijë lekë për 576 mijë pensionistë e familje në nevojë, mbështetje 1.5 miliardë lekë për fermerët, 500 milionë lekë që mos të rritej çmimi i transportit publik, fond 28 miliardë lekë për energjinë elektrike dhe ndryshim të taksës progresive e rritjes së pagës minimale.