Ish-kryeministri Sali Berisha zgjodhi të komentonte vendimin e Lulzim Bashës për të votuar pro zgjatjes së afatit të organeve të Vettingut me anë të një videoje, ku ai shprehej: “Bëjeni vettingun se do hapim negociatat, kësaj në Shqip ne i themi broçkull, në anglisht ka një fjalë… (bullshit)”

“Sot “bërtet” votoni Vetingun për Integrimin! Por ja si i drejtohej dikur Basha përfaqësuesve europianë!”, shkruan Berisha në postimin e tij në rrjetet sociale.

Lulzim Basha tha këtë të enjte se zgjatja e afateve të vettingut që pritet të votohet në parlament, vjen për faktin se PD dhe aleatët euroatlantikë, janë krah për krah për 3 prioritete kryesore të shqiptarëve: luftën pa kompromis kundër korrupsionit, reformën territoriale dhe reformën zgjedhore.

“Ne sot me ndihmën e partnerëve euroatlantikë dhe dua të falenderoj SHBA, BE, ambasadorët Kim dhe Soreca në veçanti sepse nuk ka qenë vullneti politik i PS që sot të votoheshin këto të dyja. Tani është vullnet për shkak të faktit që PD dhe aleatët tanë euroatlantikë, janë krah për krah për 3 prioritete kryesore të shqiptarëve: luftën pa kompromis kundër korrupsionit, reformën territoriale dhe reformën zgjedhore”, tha Basha mes të tjerash.