E nderojmë kështu kujtimin e gjuhëtarit dhe studiuesit Eqrem Çabej, në 115 – vjetorin e lindjes, (1908–1980), një prej figurave më poliedrike të kulturës sonë.

Për rreth 50 vjet, studimet e prof. Çabej përfshinë kryesisht fushën e gjuhësisë, por edhe folklorin, etnografinë, historinë e letërsinë.

Ai hodhi themelet e studimeve në historinë e gjuhës, ku vend të veçantë zënë studimet etimologjike dhe gjuha e autorëve të vjetër si dhe botimi filologjik i veprave të tyre; fonetika e gramatika historike e shqipes; historia e përgjithshme e shqipes me problemet e prejardhjes së saj; marrëdhëniet e shqipes me gjuhët e tjera indo-evropiane si dhe me gjuhët ballkanike e me gjuhë të tjera apo studimet në fushën e dialektologjisë e onomastikës.

Eqrem Çabej ka dhënë një ndihmesë të rëndësishme në hartimin e teksteve shkollore, duke qenë edhe bashkautor në një sërë veprash kolektive.

Ai është autor dhe bashkautor i rreth 150 veprave të rëndësishme studimore, botime kritike, artikuj shkencorë, etj., të cilat janë pjesë e fondit të Bibliotekës Kombëtare.

Akademiku Eqrem Çabej ka qenë anëtar i komisionit hartues të veprës themeltare të gjuhës shqipe, “Fjalori i gjuhës shqipe” (1954), së bashku me akademikë e gjuhëtarë të shquar si Mahir Domi dhe Kristaq Cipo.

Eqrem Çabej është vlerësuar me Çmimin e Republikës të shkallës së parë (dy herë) dhe është dekoruar me Urdhrin “Nderi i Kombit”.