Detaje nga dosja hetimore kundrejt Ahmetajt, përfitoi në mënyrë të parregullt dhurata të majme, para, apartamente dhe vilë

Gazetarja Klodiana Lala publikoi detaje të reja nga dosja hetimore për deputetin Arben Ahmetaj i cili akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash nga SPAK për aferën e inceneratorëve.

Lala raporton për News 24 se në dosje thuhet se Ahmetaj mori drejtpërdrejtë përfitim të parregullt për çështjen e inceneratorëve, nga biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri në periudha të ndryshme, duke futur dhe emra të tjerë në këtë ‘skemë’.

“Ka marrë drejtpërdrejtë ose tërthorazi, përfitim të parregullt, për vete ose persona të tjerë, konkretisht shumën 170480 euro në vitin 2016 dhe 2017, duke u mbuluar natyra e vërtetë e burimit dhe duke e paraqitur si pagesë e bërë të një shtetasi tjetër dhe Arben Ahmetajt, përkundrejt një ‘shitje’ ndaj një shtetasi., të dy apartamenteve me sipërfaqe 124.15 metra katrorë dhe një me sipërfaqe 148.8 m katrorë në vendin e quajtur Selitë, vlerë kjo e paguar në mënyrë të tërthortë nga shtetasi Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, nëpërmjet shtetasve të tjerë.

Truall+ndërtesë në Hamallaj, e përfituar në vitin 2017, nga shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri në mënyrë të tërthortë ndërmjet transaksioneve të kalimit më parë të kësaj pasurie në emër të Zotos, në vijim në emër të një personi tjetër, e më pas në emër të bashkëjetueses së Ahmetajt. Shumën prej 130.000 eurove në vitin 2017 dhe 2018, duke mbuluar natyrën e vërtetë të burimit dhe duke u paraqitur si pagesë e bërë ndaj një personi dhe ndaj Arben Ahmetajt, përkundrejt një shitje ndaj një tjetër personi, të një apartamenti dhe një garazhi.”, thuhet në dosjen hetimore.