Lajmi se, Kryeministri Edi Rama i është nënshtruar një operacioni në orët e para të mëngjesit, ishte i shpejtë, saqë kujtuam se para se të shkonte në spital, ka kaluar nga mediat.

Gjithashtu mësuam se pas kryerjes së testeve imazherike, Kryeministri Rama është diagnostikuar me apandecit akut.
Meqënëse ndërhyrja ka rezultuar e suksesshme dhe gjendja e tij shëndetësore tashmë është e mirë, duke i uruar sinqerisht të shkuara Kryeministrit, shfrytëzojmë rastin t’i drejtohemi atij:

Z. Kryeministër!
Ashtu si apendiciti akut që është një gjendje që nuk pret por kërkon trajtim të menjëhershëm kirurgjik, edhe unë që po ju drejtohem janë në një moshë të shtyrë dhe në një situatë shëndetësore që nuk pret gjatë.
Fjala “akut” ka një kuptim shumë të caktuar në mjekësi, por sot po dua ta përdor për të përshkruar në mënyrë figurative situatën akute të mjerimit të pjesës më të madhe të shoqërisë sonë.

Ndryshe nga apendiciti që është një një organ që nuk ka një funksion të caktuar, ne njerëzit moshës së tretë kemi punuarnjë jetë të tërë. Prandaj, ashtu si apendiciti akut është një gjendje që kërkon trajtim të menjëhershëm kirurgjik, edhe për pensionistët e Shqipërisë, lipset një ndërhyrje urgjente. P.sh., me pesë mijë lekët që morëm bonus këtë muaj, ne nuk mund të bëjnë as analizat (dhe jo imazherira si ju) për të përcaktuar një diagnozë… Ndërsa për t’u përballur me operacione, siç fatkeqësisht ju ndodhi juve, e kemi të pamundur nëse nuk iu shtrijmë dorën dikujt…
Z. Kryeministër!
Mediat tona na treguan këtë herë se, kur vjen puna për shëndetin tuaj, ato raportojnë të parat, ndërsa për kushtet e shërbimit të shëndetit të të gjithë ne qytetarëve, ato heshtin.
Kjo tregon se për ca media, shëndeti i udhëheqësit është më i rëndësishëm se sa shëndeti i popullsisë.
Duke ju vënë juve në qendër të vëmendjes, tek ne po konsolidohet një kulturë e shpërfilljes së problemeve dhe halleve të shumicës së shoqërisë. Kjo kulturë të bën të paaftë për të adresuar saktë probleme të mëdha, siç janë edhe ato shëndetësoret.
Gjithsesi, ndërhyrja kirurgjikale e apendicit tuaj, z. Kryeministër, le të shërbejë si një thirrje për përmirësimin e sistemit të pensioneve në vend dhe si një kujtesë për nevojën për të bërë kujdesin mjekësor të aksesueshëm dhe të njëjtë për të gjithë qytetarët.
Mos na trajtoni si apendiciti juaj, z. Kryeministër!
_____

Me respekt,
Engjëll Nova.