Nga Edon QESARI

Gjenerali Moshe Dajan, përveç se për rolin e tij historik, si një prej strategëve ushtarakë më të njohur të shekullit XX, njihet edhe për sentencat e veta. Njëra prej tyre, ndër më të përmendurat, thotë: “Armiqtë duhet të përftojnë prej nesh se jemi një qen i tërbuar, tepër i rrezikshëm për t’u ngacmuar”.

Është një prej përkthimeve moderne të devizës klasike hobbesiane, sipas së cilës kërcënimi i luftës ndjell më frikë se zhvillimi i saj. Me një fjalë, të shpallësh se do të hysh në luftë jep më shumë efekte tek armiku, duke ia prerë hovin, se zbritja konkrete në fushbetejë kundër tij. Në termat e mirënjohur të Clausewitz-it, nuk është më vetëm lufta që përvijon politikën me mjete të tjera, por edhe e anasjellta.

Izraeli, në dekadën e fundit, ka humbur në sytë e armiqëve të vet në Gazë – armiq të cilët, së paku në qëllimet statutore dhe të shpallura botërisht, kanë si qëllim fundor të veprimtarisë së tyre zhdukjen e Shtetit izraelit dhe spastrimin e atij trualli nga prania e hebrejve – pra Izraeli duket se ka ardhur duke humbur trajtat e një qeni të tërbuar në sytë e armiqëve të vet. Dhe pavarësisht arsyetimeve prej tryezash mediatike dhe ndjeshmërive liberale në Evropë e gjetiu, si izraelianët ashtu edhe palestinezët e dinë fare mirë se ata jetojnë në një botë tjetër: kanë jetuar përherë në rrethana, e për pasojë në forma mentis, krejt të ndryshme (e shpesh të kundërt) me atë çka perëndimorët kanë në përvojën e tyre të së paku 80 viteve të fundit.

Izraelianët veçanërisht, të cilët janë të lindur dhe të rritur me vetëdijen e një të shkuare që, për një arsye apo një tjetër, i kish vendosur ata në zgrip të shfarrosjes – këta izraelianë, panë së fundi se dikush i mësyn dhe i vret. I therr, i asgjëson. Sërish. Similitudat e krijuara janë patjetër përgjithësime të rreme: jo çdo arab është një nazist. (Madje dhe brenda Hamasit duket se ka pasur frymë të ndryshme, jo krejt dakord me atë ç’u shkaktua.) Ama në botën hobbesiane, atë në të cilën nuk ka kundërshtarë por vetëm armiq , përgjithësimet janë normë: po nuk i more parasysh, ndodh – ka ndodhur shpesh – edhe që të të heqin qafe.

Për një popull i cili, me të drejtë apo jo (sipas kategorive etike që përpunon Perëndimi, ta themi, i cili jeton në atë botën e ndryshme nga ajo e Lindjes së Mesme) – po thosha, për një popull i cili gjykon se jeton i rrethuar nga të tjerë që e shohin si të padëshiruar, sakaq që gjasat janë që përftimi i qenit të tërbuar, si dhe i kërcënimit për luftë, kanë qenë rremendje (mbi 1200 të masakruar si dëshmi e këtij fakti), ky popull do të sillet efektivisht si qen i tërbuar dhe do të bëjë efektivisht luftë. Se paqja mund të mbahet vetem si ujdi përkundrajt kërcënimit për luftë. E kur kërcënimin s’e vë më njeri në kandar, atëherë LUFTË.

Nuk është popull pa etikë. Nuk është popull çnjerëzor. Nuk ka përbuzje për të drejtat e njeriut, nga ato që mësohen dhe predikohen në Perëndim. Është thjesht popull që s’jeton në Perëndim, i cili ka mësuar (apo i kanë mësuar) se jeta balancohet me vdekjen. Dhe para vdekjes, jeta është e zhveshur nga gjithçka.

Edhe nga normat etike – sidomos ato të krijuara në rehatinë e kujt nuk sheh në të shkuarën e vet vegimin e vetvetes si “çifut endacak”. Ose si trup i zhveshur, si jetë e zhveshura, që shtyhet me dhunë brenda mureve të një dhome me gaz.

Kjo është etika: në ATË botë.