Nga Virgjil KULE

Përpara se të bëhej legjendë, ai ishte njeri.
Kur u krijua legjenda, njerëzit u morën me legjendën dhe filluan ta harrojnë njeriun.
Unë i qëndrova pranë njeriut duke recituar legjendën që herë dukej, herë zhdukej në horizont. Çdo shekull shtonte ose fshinte diçka prej saj. Por më shumë fshinte se shtonte. Nganjëherë deri në mohim.
Pastaj erdhi shekulli ynë…, shekulli i pragmatizmit, i kontratave online, i arsyes së ftohtë, i logjikës shkencore, i argumentit të aresyetuar…
Bashkë me shekullin e ri duhej edhe një riardhje e njeriut legjendë. Riardhje triumfale…
Kësaj here shumë më PAK legjendë e SHUMË më tepër njeri…, ashtu sikundër e kërkon kodi pragmatist i shekullit tonë.
Gjergj Kastrioti dora vetë:
I gjithanshëm, siç ka qenë: superinteligjent, filozof, diplomat, politikan shtetar, strateg ushtarak, interlokutor ndërkombëtar me famë…
Këto cilësi, ndonëse legjendare, nuk shprehen dot as me përralla e as me legjenda.
Ato shprehen vetëm me punë serioze shkencore të mishëruar në këtë ditar superkronologjik me dokumenta origjinale.
Shqiptari i djeshëm që mbart fuqinë e argumentit për të frymëzuar shqiptarin e sotëm…