Një sindikatë me avokatë vendas dhe të huaj, janë bërë bashkë për të rrëzuar përmes vendimeve të gjykatave, bisedat e zbërthyera të aplikacionit “Sky ECC”, ku shumë eksponentë të krimit të organizuar dhe zyrtarë dalin të implikuar në veprimtari kriminale.

Ky konstatim është bërë nga drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, i cili gjatë një takimi me gazetarët, përmendi përpjekjet e një grupi avokatësh, vendas dhe të huaj për të nxjerë jashtë loje përmes vendimeve gjyqësore, si të paligjshme dhe të papërdorshme bisedat kriminale të zhvilluara në “Sky”.

Por Dumani sqaroi se në këtë rast dhe për këto biseda të zbërthyera në “SKY”, SPAK nuk ka shpikur një praktikë ekstra ligjore. SPAK i është referuar praktikës evropiane dhe vendeve të Ballkanit që kanë pasur raste të ngjarje hetimore.

“…ne jemi njohur me materialin e ardhur nga homologët për bisedat e “Sky” që kanë zhvilluar përdoruesit në Shqipëri dhe Europë. Përpara se të ndërmernim iniciativën për të goditur elementët e krimit në Shqipëri, ne kemi parë rastet homologe të vendeve europiane.

Ne i jemi referuar rasteve kur gjykatat Angleze si, ato Serbe, Francës, Hollandës, Italisë, Malit të zi, kanë njohur si mjet provë bisedat e zhvilluara në “Sky”.

Edhe pse në Gjermani një gjykatë e shkallës së parë të një landi, vendosi të rrëzojë këto biseda. Një vendim gjykate Apelimi në Gjermani, i ka cilësuar të rregullta këto biseda…”-deklaroi Altin Dumani.

Drejtuesi i SPAK, theksoi se hetimet për verifikimin dhe provueshmërinë e këtyre bisedave janë duke vijuar, duke lënë të hapur mundësinë e goditjes së elementëve të tjerë kriminalë dhe zyrtarëve në Shqipëri.

Ndërsa shtoi se i janë drejtuar me një kërkesë autoriteteve Franceze për ekstradimin e të “fortit” të Shkodrës, Behar Bajri, i ndaluar një tre javë më parë në qytetin e Strasburgut.