Uashingtoni i tregon “kufijtë” Serbisë, përmes të gjitha rrugëve diplomatike
30 September , 2023
4 min. lexim
Një angazhim i tillë diplomatik në të gjithë hierarkinë e Shtëpisë së Bardhë nuk ishte parë qysh prej premisave të fillimit të pushtimit rus në Ukrainë.

Mbrëmjen e 29 shtatorit, të gjitha kanalet diplomatike të Shteteve të Bashkuara u vunë në punë për të “de-eskaluar menjëherë tensionet në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë”.

Pa fjalë të ndërmjetme, diplomacia amerikane i kërkoi Serbisë që të tërheqë atë që thotë se është një grumbullim i madh ushtarak në kufirin e vendit me Kosovën.

Thirrjet vinin pas një sulmi të dielën e kaluar, gjatë të cilit rreth 30 persona të armatosur u përfshinë në një përleshje me armë me policinë e Kosovës në veri, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Duke folur të premten, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby e përshkroi “dislokimin e madh ushtarak” të tankeve dhe artilerisë së sofistikuar serbe si “një zhvillim shumë destabilizues”.

“Është shqetësuese. Nuk duket si një grup djemsh që u mblodhën për ta bërë këtë”, tha Kirby, duke iu referuar sulmuesve. “Ne po i bëjmë thirrje Serbisë që t’i tërheqë ato forca nga kufiri”.

Kirby theksoi se grumbullimi i trupave kishte ndodhur brenda javës së fundit, por qëllimi i tij nuk ishte ende i qartë.

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken i telefonoi presidentit serb Aleksandar Vuçiç më herët të premten për të kërkuar “de-eskalim të menjëhershme të tensionit dhe kthim në dialog”, shtoi Kirby.

Presidenti i Serbisë deklaroi të premten se sekretari Blinken i tha atij për masat e mundshme që mund të ndërmerren kundër Beogradit.

“I thashë (Antony Blinken) – ju jeni një vend i madh, një fuqi e madhe. Është pjesa juaj që të bëni atë që mendoni se duhet të bëni. Unë jam absolutisht kundër kësaj dhe mendoj se është shumë e keqe, por ka gjëra që duhet t’i përmbahemi dhe kjo është para së gjithash e vërteta”, tha Aleksandar Vuçiç pas një bisede telefonike me Blinken.

Kreu i shtetit serb tha se ata kishin rënë dakord për nevojën për de-përshkallëzimin e tensioneve dhe një rol më të madh për misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR).

“Kam pasur një bisedë të gjatë dhe të lehtë me Sekretarin e Shtetit Blinken. Ka disa gjëra për të cilat jemi marrë vesh dhe ka disa gjëra të tjera për të cilat nuk jemi marrë vesh. E kam informuar me detaje për faktet rreth ngjarjeve të fundit në Kosovë”, tha Vuçiq për mediat.

Sipas leximit të bisedës telefonike të Departamentit Amerikan të Shtetit, të dy diskutuan “rëndësinë e marrjes së masave të menjëhershme për të de-përshkallëzuar tensionet me Kosovën pas dhunës së 24 shtatorit dhe vdekjes së një rreshteri të Policisë së Kosovës”.

“Sekretari nënvizoi se ata që janë përgjegjës për sulmet që tani janë në Serbi duhet të mbahen përgjegjës”, sqaroi në një deklaratë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.

Blinken shpreh gjithashtu mbështetje për veprimet e KFOR-it dhe EULEX-it (misioni i BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë), duke vënë në dukje se incidentet si ato pranë Manastirit të Banjskës paraqesin “sfida të papranueshme” për forcën kosovare dhe komunitetin ndërkombëtar, sipas Miller.

Blinken përshëndeti gjithashtu praninë e shtuar të KFOR-it dhe vendimin e Këshillit të Atlantikut të Veriut për të autorizuar forca shtesë, vijoi Miller.

“Sekretari përsëriti se Serbia duhet të shoqërojë de-përshkallëzimin e menjëhershëm me zbatimin e plotë të angazhimeve të saj sipas marrëveshjes së normalizimit në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE”, shtoi ai.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA-ve, Jake Sullivan, foli gjithashtu me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe “shprehu shqetësim për mobilizimet ushtarake serbe”, sipas një deklarate pas thirrjes.

Kurti tha më vonë në mediat sociale se ai kishte “kërkuar ndihmë të shtuar kundër planeve të luftës të Serbisë” nga SHBA-të.

Të dy “diskutuan gjithashtu dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të cilin Sullivan nënvizoi se ishte zgjidhja e vetme afatgjatë për të garantuar stabilitetin në të gjithë Kosovën”, sipas një leximi të telefonatës.

Ndërsa tensionet vazhdojnë të rriten, shefi i NATO-s Jens Stoltenberg deklaroi të enjten se ai kishte “autorizuar forca shtesë për të adresuar situatën aktuale”.

Është hera e dytë në tre muaj që NATO rrit kapacitetin e forcave të saj në vend.

Aktualisht ka rreth 4 mijë e 500 personel të Forcave të Kosovës (KFOR) të udhëhequra nga NATO të stacionuar në vend.

Të premten, Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar tha se kishte vënë në dispozicion të KFOR-it një batalion prej 500 deri në 650 trupa.

Ministria e Mbrojtjes tha se trupat kishin mbërritur së fundmi në rajon për stërvitje të planifikuara prej kohësh