Giovani Pascoli

(1855 – 1912)

I

“LIBRI”, ky sonet neoklasik është nga poezitë më të bukura të Paskolit.

Ankthi i zemrës njerëzore përballë misterit shqetësues dhe të padeshifrueshëm të universit dhe të vetë jetës: njeriu kalon, i trishtuar e i përhumbur, në një botë që mbetet e pakuptueshme dhe e panjohur për të. Libri që njeriu shfleton me lakmi, është universi, nga ku ai kërkon më kot shpjegim. Nganjëherë beson se e ka gjetur të vërtetën, psenë e ekzistencës së vet dhe të gjërave, por kjo është veç iluzion.

(Z. Vukaj)

 

 

LIBRI

(Giovani Pascoli)

I

Përmbi legjinë prej lisi është nën çati
i hapur libri. E lisi akoma
i rrahur nga tramundana dhe stuhi

jeton në pyllin plot zhurmë e jehona.
Libri është i lashtë; ashtu i shtrirë dëgjon
brejtjet e krimbit në netët e vona.

E duket që dikush (nga vallë kalon?
nga dera jo, që e tund ajo erë,
e cila maleve të shkreta fishkëllon

e këtu ndihet…) vjen lehtas përnjëherë,
shfleton e fletët fëshfërijnë ngadalë.
Unë njeri s’shoh: e ndjej frymëprerë.

I padukshëm atje si mendim… pa fjalë.

II

Një njeri është aty që fletët i shfleton
nga fillimi në fund, herë qetë, herë me nxitim
e prapë nga fundi në fillim kalon.

Nga kërkim i kotë, i mbushur me trishtim
i kthen fletët e brishta nga njëzet tridhjetë
e nga njëqind plot vrull e zemërim.

Pastaj një nga një i kthen, tash më i qetë
duke ngurruar, por herë-herë më shpejt
më fort vërvit ai fletët me fletë.

Ndalet… E gjeti? E zhurmat shuhen krejt,
të gjitha rrinë pezull, n’atë heshtje u tretën.
Lexon..? një çast; por prapë fletët kthen drejt

dhe vihet që të ndjekë ai të vërtetën.

III

E shfleton akoma në atë muzg mistik
prej reve përflakur, në gjëmime qiellore
mes flatrimit të kobshëm kimerik

E shfleton akoma, ndërsa shatore
të fryra në qiell terri ka nderë
dhe vjen bashkë me shkretëtirat yjore

nata e shenjtë. Akoma pandërprerë
unë mirë e dëgjoj fëshfëritjen e thatë
mes këngës së sirenave në eter.

Gjithnjë. E ndjej mes zërash nëpër natë,
i padukshëm atje si mendimi vetë
tek shfleton pandërprerë mbarë e prapë

librin e misterit nën yjtë e qetë.

_____

Përktheu Zija Vukaj