Kur Karla Semien shkoi në varreza për të zgjedhur vendin ku do të prehej bashkëshorti i saj, iu duk sikur ishte kthyer pas në kohë, në vitet 1950.

Bashkëshorti i saj, Darrell Semien, efektiv i Zyrës së Sherifit në Alen, Luiziana, ndërroi jetë në 24 janar, pasi ishte diagnostikuar me kancer në dhjetor të vitit 2020. Ajo shkoi në varrezën “Oaklin Springs” por u refuzua sepse bashkëshorti i saj ishte afro-amerikan.

“Një grua atje më tha se nuk mund të më shiste një vend sepse varreza ishte vetëm për të bardhët”, shkroi Semien në Facebook. “Madje më tregoi edhe dokumentet ku shkruhej se vetëm njerëz të bardhë varroseshin atje”.

CNN kontaktoi varrezën për komente dhe Creig Vizena, drejtuesi i Shoqatës së Varrezës së “Oaklin Springs” tha se i vinte turp për mënyrën sesi ishte trajtuar zonja Semien. Ai shtoi gjithashtu se gruaja që kishte refuzuar të shiste vendin ishte në të 80-at dhe që prej asaj kohe ishte larguar nga detyra. Ai i ofroi familjes një vend për të vendosur njeriun e dashur, por ata refuzuan.

Varret e ndara në baza racore kanë një histori të gjatë në Shtetet e Bashkuara dhe mbeten një kapitull i errët që vijon të ketë pasoja edhe sot.

Në vitin 2016, zyrtarët e qytetit Uako (Waco), në Teksas, urdhëruan heqjen e një gardhi me zinxhirë që ndante seksionin e të bardhëve dhe atyre me ngjyrë. Një gardh i ngjashëm u prish një vit më vonë në Mineloa, gjithashtu në Teksas. Problemi ka vijuar në disa shtete amerikane, edhe pse Gjykata Supreme ka vendosur që në vitin 1948 që varrezat të mos jenë më të ndara në baza racore.