Bedar Skënderi, Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, është kallëzuar në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Sipas njoftimit të KLSH-së, Skënderi akuzohet se ka shpërdoruar detyrën duke mos tërhequr nga tregu akulloret me përmbajtjen e rrezikshme oksid etileni, skandal që shpërtheu gjatë periudhës së sezonit veror.

Njoftimi i KLSH:

Kontrolli i Lartë i Shtetit, duke marrë shkas nga problematika e trajtuar në disa media, për t’iu përgjigjur ndjeshmërisë së publikut dhe informimit të tij për çështjet që lidhen me garantimin e sigurisë ushqimore, ushtroi jashtë  programit vjetor të miratuar, auditimin tematik në Drejtorinë e Përgjithshme të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit me objekt: “Mbi procedurën e ndjekur nga DPAKU nga marrja e njoftimit nëpërmjet sistemit RASFF (sistemi i njoftimit të shpejtë për ushqimin e popullatës dhe ushqimin për kafshë) për përdorimin e paautorizuar të substancës “oksid etileni” në prodhimin e produktit “Akullore” (importuar dhe tregtuar në tregun shqiptar), deri në inspektimin, bllokimin, tërheqjen nga tregu dhe asgjësimin e saj”.

Nga auditimi i ushtruar, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar mosveprime të Drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, të cilat janë në kundërshtim flagrant me ligjin dhe aktet nënligjore që rregullojnë veprimtarinë e institucionit të drejtuar prej tij. Për mosveprimet e Drejtorit të DPAKU, KLSH ka depozituar kallëzimin penal në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal.

Në muajin gusht shpërtheu alarmi për prezencën e lëndëve narkotike (oksid etileni) në shumë akullore e çokollata. Ishin Autoritetet e Kontrollit Ushqimor në Francë, Belgjikë, Serbi e shumë vende të tjera që lajmëruan qytetarët se ato akullore nuk duheshin konsumuar e duheshin tërhequr nga tregu. Nga AKU u lajmëruar se në vendin tonë kishin hyrë më shumë se 16 ton të tilla dhe se 11 prej tyre ishin konsumuar nga qytetarët.