Opozita dorëzoi në Këshillin Politik kërkesën për të marrë ekspertizën e OSBE/ODIHR lidhur me çështjet e kundërshtuara prej saj dhe të debatuar në këshill përpara se ato të draftohen bashkërisht me konsensus.

Përmes një letre, përfaqësuesit e opozitës në Këshillin Politike, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili nënvijëzojnë faktin se marrëveshja e 14 janarit 2020 përmban një klauzolë themelore për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes palëve. Sipas kësaj klauzole, në rast mosdakordësie për çështje të caktuara, do të kërkohet opinioni dhe asistenca nga ekspertiza ndërkombëtare e OSBE/ODIHR, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme.

“Kjo pikë përcakton qartë që në Këshill kriteri themelor është konsensusi dhe se çdo zgjidhje duhet te jetë e pranueshme nga palët. Kjo klauzolë mundëson marrjen e opinionit dhe ndihmës së specializuar mbi çështjet e debatuara përpara se ato të draftohen bashkërisht me konsensus”, thuhet në letër.

Kërkesa e opozitës në Këshill pasi OSBE-ODIHR rikonfirmoi gatishmërinë për të dhënë asistencë.