Nigerania Ngozi Okonjo-Iweala është gruaja e parë që do të drejtojë Organizatës Botërore të Tregtisë që nga krijimi i këtij mekanizmi.

66-vjeçarja mori mbështetjen për të marrë këtë post të rëndësishëm nga pjesë më e madhe e 164 vendeve që përbëjnë OBT.

Në fjalën e saj të prezantimit Okonjo-Iweala u shpreh se prioritet i punës së saj do të jetë adresimi i pasojave ekonomike që shkaktoi pandemia e koronavirusit.

“Organizata jonë përballet me shumë sfida, por duke punuar së bashku, ne mund ta bëjmë OBT-në më të fortë dhe më të përshtatshme me realitetet e sotme”, tha ajo.

Emërimi i Ngozi Okonjo-Iweala erdhi pasi presidenti Joe Biden miratoi kandidaturën e saj, e cila ishte bllokuar nga ish-presidenti amerikan, Donald Trump.