Byroja Kombëtare e Hetimit është në fazën e përzgjedhjes së kandidatëve për hetues të kësaj strukture, por procesi është kontestuar me përfundimin e testit fizik.

Ka qenë një prej aplikantëve të skualifikuar i cili ka bërë padi në Gjykatën Administrative ndaj procesit, duke kundërshtuar aktin administrativ të komisionit të BKH që i ka skualifikuar nga gara. Ndërkohë kandidatët të tjerë kanë vendosur ti drejtohen me shkresë ankesë vetë institucionit.

Ata pretendojnë se ndryshe nga faza e parë që ishte ajo e testit psikologjik, ku i gjithë procesi është bërë transparent, ndërsa rezultati u bë i ditur vetëm 15 min pas provimit, në fazën e testimit fizik kjo gjë nuk ka ndodhur.

Në padinë e bërë nga aplikanti thuhet se mungon një rregullore e hartuar nga kreu i BKH-së, Aida Hajnaj, që për të gjitha fazat e tjera ka hartuar një rregullore, për këtë jo. Kandidatët pretendojnë se nuk kanë patur dijeni se cilat ishin kriteret që duhej të përmbushnin në testin fizik që përfshinte ushtrimet pompa, palosje të barkut dhe vrapin 2.4 km.

Por pavarësisht kësaj padie BKH është duke vijuar me procesin e përzgjedhjes sepse ditën e sotme kandidatët që janë kualifikuar i janë nënshtruar sot testit të esesë me shkrim.Burime për tirananews.al bëjnë të ditur se aplikantët zgjidhnin me short një nga 9 temat e esesë që kishin të bënin me korrupsionin në radhët e ministrave, në radhët e prokurorëve, të gjyqtarëve etj. Minimumi për kualifikim që ata do të duhet të merrnin ishte 15 pikë.