Fillimisht e rrotullonte nëpër duar për t’i gjetur fillin e kuq që lidhte dy pjesët e cellofanit mbështjellës. E gërvishte pak me thoin e gishtit të madh e pastaj me një rrotullim të ngadaltë e tërhiqte me kujdes fillin që prerja të bëhej uniforme. Mbeturinat i linte mënjanë pak me vështirësi se fija e cellofonit i ngjitej në gishta si magnet. Vështrimi im fiksohej te deveja e zezë në sfondin e një xhamie të kuqe diku në një vend me shkretëtirë. Dy palma e plotësonin idenë e oazit me ujë freskues në atë vapë përvëluese. Mendja me shkonte në kohën e Marko Polos, te karvanet që sillnin nga Lindja në Evropë beharna, cohra e gurë të çmuar. Diçka nga përrallat me Ali Babën, me Hajdutin e Bagdatit dhe me Mukun e Vogël. Mirazhe magjie e begatie.Pastaj një kercitje e lehtë e kapakut që hapej si arkëzë nga ato që mbajnë brenda sende të vyera.Tek ngrihej kapaku, llamburiste letra varak që mbulonte 20 cigaret e hekurosura.Paketa Diamant!
Sa herë që ia bleja babait, më fuste në ëndërrime dizajni i saj oriental. Imagjinoja, karvane, pirate, etje, vapë, oaze, qilima fluturues e ç’të të them…

***

Nga Virgjil KULE