Nga llogaritjet e IGJEUM, nivelet në lumenjtë Drin dhe Buna do të vazhdojnë të jenë të larta por me probleme lokale të përmbytjeve. Lumenjtë e tjerë do të vazhdojnë të kenë prurje të larta, por nuk priten probleme nga përmbytjet. Intensiteti i lartë në veri-perëndim të vendit mund të krijojë akoma probleme lokale me përrenjtë dhe lumenjtë e vegjël, përmbytjet urbane dhe rrëshqitje të dherave kryesisht përgjatë datave 10 dhe 11 Janar 2021.

Sot pasdite (e shtunë, 09 Janar) dhe nesër (e diel, 10 Janar) priten reshje intensive në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë dhe Durrës dhe në qarqet Shkodër, Kukës, Lezhë deri lokalisht shumë intensive.

Në qarqet Tiranë dhe Elbasan priten reshje mesatare deri lokalisht intensive, ndërsa në qarqet e tjerë priten reshje të dobëta. Reshjet do të shoqërohen me shtrëngata në shumicën e qarqeve. Në veri dhe lindje në lartësitë mbi 600m reshjet do të jenë në formë bore.

Nesër temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë në bregdet: 12 / 20 °C, në vendet e ulëta: 8 / 17 °C, në vendet malore: 0 / 13 °C

Sot pasdite dhe nesër (e diel, dt. 10) era pritet të fryjë e lehtë deri mesatare, ndërsa në bregdet deri e fortë.