Më shumë trupa ruse po tërhiqen nga avancimi i tyre në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, ndërsa forcat pushtuese intensifikojnë sulmin e tyre në rajonin separatist të Donbasit në lindje, tha një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane për gazetën ushtarake amerikane Stars and Stripes.

Duke folur në kushte anonimiteti, ai tha se dy të tretat e grupeve taktike të batalionit rus që rrethonin Kievin duket se janë tërhequr në veri drejt aleatit rus, Bjellorusisë.

Zyrtari tha se besonte se trupat ruse që po tërhiqen do të marrin përforcime, përpara se të kthehen në Ukrainë për të vazhduar luftën diku tjetër.

Vendimi i Rusisë për t’u tërhequr nga kryeqyteti, vjen pas javësh të tëra që trupat kishin mbetur të bllokuara në pamundësi për të avancuar drejt Kievit.

Ministria ruse e Mbrojtjes tani pretendon se qëllimi i tyre ishte gjithmonë “çlirimi” i rajonit të Donbasit, pavarësisht dëshmive se qëllimet e tyre fillestare ishin të kapnin qytetet e mëdha në të gjithë Ukrainën.