Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, historiani Paskal Milo, duke komentuar për Euronews Albania, zhvillimet e fundit me gjyqin që po u bëhet ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), e cilësoi situatën jo të stabilizuar sa të ketë të pranueshëm në Kosovë një qasje kundër ish-udhëheqjes së saj politike dhe një zhvendosje të vëmendjes drejt çështjeve elektorale.

“Sot Kosova ka nevojë për bashkim, unifikim të atyre që e duan Kosovën dhe duhet ta nxjerrin atë nga kjo situatë e rëndë. S’e ndihmon daljen nga kjo situatë vijimi i akuzave ndaj Thaçit, Veselit… të cilët janë në bankën e të akuzuarve. Për mua është gabim qasja e Vetëvendosjes që e zhvendos vëmendjen nga një çështje qendrore që ka të bëjë me ekzistencën e Kosovës, për llogari elektorale dhe të pushtetit është qasje e gabuar,” – u shpreh ish-ministri Milo.

Në komentin e tij Milo iu drejtua veprimtarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Elvis Hoxha, i cili shprehu hapur kritika kundër mënyrës se si qe vepruar vitet e fundit, që me dialogun në nivel teknik, lejimin e institucioneve paralele në veri të Kosovës, por dhe krijimin e një gjykate si Gjykata Speciale, e cila ka autoritet për luftën dhe është jashtë Kosovës.

Hoxha këmbënguli se “synimi kryesor është korruptimi i luftës dhe pavarësimit të Kosovës” dhe për këtë sipas tij do të ishte e nevojshme “rikthimi i legjitimimit të institucioneve kryesore” duke nënkuptuar këtu vajtjen e vendit në zgjedhje të parakohshme.

“Kam simpati për Vetëvendosjen dhe kryetarin e saj, e kam shprehur këtë që kur isha ministër i Jashtëm në vitin 1997 kur Albini [Kurti] ishte djalë i ri dhe sekretar i Adem Demaçit. Por tani më duhet të këmbëngul se Vetëvendosja ka një qasje të gabuar për mua… dua t’ju bëj thirrje të bëheni realist, nuk jeni vetëm ju në Kosovë, nuk janë të gjithë të korruptuar, nuk janë të gjithë të lidhur me krimin, ka dhe në partitë e tjera individë dhe personalitete të ndershme që u dhimbset vendi, dhe që u duhet të bashkoheni, përballoni situatën aktuale në një periudhë të shkurtër kohe dhe më pas shkoni në zgjedhje se s’ka rrugë tjetër,” – u shpreh më tej Milo.