Pavarësisht kërcënimeve të presidentit Ilir Meta, Kuvendi miratoi sot draftin për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

97 deputetë votuan pro, 15 kundër dhe 5 abstenim.

Në të parashikohet ndalimi i koalicioneve parazgjedhore, prag elektoral 1%, si dhe lista të hapura. Kandidatët do të mund të ndryshojnë renditjen vetëm nëse arrijnë të marrin minimum sa mesatarja e votova të partisë.

Edhe pse një pjesë e opozitës së re shprehu kundërshtinë për të votuar hapjen e listave në mënyrën e propozuar nga selia rozë, pjesa tjetër e deputetëve ka dhënë pëlqimin pro amendamenteve të PS-së.

Për t’u miratuar amendamentet e Partisë Socialiste do të mjaftonin 84 vota, ndërkohë që maxhoranca ka arritur të sigurojë më shumë vota seç duheshin, duke arritur edhe një shumicë që do mjaftonte për të ndryshuar Kushtetutën.

Në nisje të seancës, kryeparlamentari Ruçi, vlerësoi se Kuvendi iu afrua maksimalisht të gjitha alternativave të mundshme të forcave politike. Sipas Ruçit, ndryshimet kushtetuese në Kodin Zgjedhor janë të standardeve europiane.