Edhe pse në garën zgjedhore të 25 Prillit do të hyjnë në lista të veçanta, PD-ja dhe LSI-ja do të jenë në një koalicion të përbashkët.

Dy partitë më të mëdha të opozitës firmosën këtë të hënë marrëveshjen për koalicionin në zgjedhjet e përgjithshme që do të zhvillohen pas 56 ditësh.

Ishin dy liderët, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi që nënshkruan firmat në marrëveshje.

Kryetarja e LSI-së siguroi se koalicioni me PD-në dhe aleatët e saj nuk do të jetë vetëm për fushatë. Ajo u shpreh se zgjedhjet e 25 Prillit janë mision kombëtar dhe një sinjal për të filluar një pranverë të re.

“Ky është partnership jo vetëm për të zgjatur gjatë fushatës. Edi Rama premton që do të hapë vende pune, por një njeri që krijoi kriza pa patur kriza imagjinoni se si mund ta nxjerrë vendin nga kjo situatë. Referendumi i 25 Prillit është mision kombëtar për t’i dhënë fund çdo sekti që kërkon të marrë peng të ardhmen e Shqipërisë. Sot bashkimi i LSI me PD dhe aleatët e saj është një sinjal për të filluar një pranverë të re, pranverën e fillimit, pranverën e emancipimit për t’i dhënë forcë votës së shqiptarëve”, tha Kryemadhi.

Para takimit u zbulua edhe slogani që LSI dhe PD do të përdorin për zgjedhje. “Shqipëria, shtëpia që fiton”, është slogani i opozitës së bashkuar për zgjedhjet e 25 Prillit.