Instituti i Statistikave (INSTAT) ka përgatitur një raport ku paraqiten statistikat sociale dhe ekonomike për gjithë qarqet dhe bashkitë e vendit.

Nga statistikat vihen re veçoritë e disa nga qarqeve kryesore të vendit, për vitet 2018-2019.

Berati: Qarku me prodhimin më të madh të ullinjve. Konkretisht qarku i Beratit mbulon 14% të prodhimit.

Dibra: Qarku me mesataren më të ulët mujore për shpenzimet në familje. Bëhet fjalë për shumën 67.805 lekë në muaj.

Durrësi: Qarku i dytë me numrin e lejeve të ndërtimit që janë lëshuar për ndërtesat e reja. Në këtë qark gjatë një viti janë lëshuar 152 leje ndërtimi.

Elbasani: Qarku i dytë me numrin më të madh të gjedhëve. Ky qark numëron 43.100 krerë.

Fieri: Për prodhimin e Brendshëm Bruto për Frymë në rajon, qarku i Fierit zë vendin e dytë me një PBB prej 599.000 lekësh.

Gjirokastra: Qarku me gjenerimin më të madh të mbeturinave. 0.75 ton mbetje për frymë qarkullojnë në qarkun e Gjirokastrës.

Korça: Qarku i dytë me pjesëmarrjen më të madhe në forcat e punës, konkretisht 68.4% pjesëmarrjen për popullsinë mbi 15 vjeç.

Kukësi: Qarku me shkallën më të lartë të rritjes natyrore të popullsisë, konkretisht 7.42 për 1000 banorë.

Lezha: Qarku me shkallën më të lartë të papunësisë. 17.7% e popullsisë mbi 15 vjeç është i papunë në qarkun e Lezhës.

Shkodra: Qarku me përqindjen më të lartë të nxënësve regjistruar në arsimin e mesëm privat. 17.8% e tyre kanë preferuar të mos regjistrohen në shkolla publike.

Tirana: Kryeqyteti është qarku me shkallën më të lartë të migrimit të brendshëm neto, 10.5 për 1000 banorë.

Vlora: Qarku me prodhimin më të madh të agrumeve. Në Vlorë prodhohen 68% e tyre.

Raporti është i përgatitur nga sektorët e specializuar të INSTAT-it në bashkëpunim me Zyrën Federale Zvicerane të Statistikave (ZFS) dhe ekspertë të projektit SALSTAT “Për Statistika të forta Lokale Shqiptare”.