Tiranë – Një aksident automobilistik ka ndodhur pak minuta më parë në kryeqytet, ku një automjet tip ‘Volkswagen’ është përplasur me një tjetër të llojit ‘Mercedes Benz’.

Ngjarja ka ndodhur në rrugën ‘Muhamet Gjollesha’, pranë një kryqëzimi, ku si pasojë e aksidentit, autovetura tip ‘Volkswagen’ ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një tabelë të sinjalistikës rrugore që gjendej në trotuar. Për pasojë, nga aksidenti ka mbetur e lënduar një vajzë, kalimtare e rastit.

Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar policia dhe autoambulanca, e cila ka mjekuar në vendin e ngjarjes të renë e lënduar.

Grupi hetimor ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të aksidentit. Ndërkohë, paraprakisht dyshohet se shkak për përplasjen është bërë një ndërhyrje e gabuar në semafor nga ana e mjetit ‘Volkswagen’.