Ashtu siç edhe pritej, peshëngritësi ynë 46 vjeçar Kreshnik Leka triumfoi dhe u shpall sot kampion bote në stilin shkëputje në Botërorin Masters që po zhvillohet në Wieliczka të Polonisë.
Me një tjetër rezultat fantastik peshëngritësi shqiptar Kreshnik Leka, njëkohësisht Drejtori i Klubit Shumësportësh “Teuta” të Durrësit, duke ngritur me sukses 113 kg në provën e parë, 117 në të dytën dhe 119 kg në provën e tretë triumfoi dhe u ngjit në podiumin e vendit të parë në stilin e shkëputjes.

Në stilin e shtytjes Kreshnik Leka ngriti 137 kg në provën e parë dhe u rendit i katërti në dygarësh.

Në Botërorin Masters, Leka, i cili njëkohësisht është edhe president i Shoqatës “Mjeshtrat e Peshëngritjes Shqiptare”, garoi në Masters 45V në peshën 102 kg.

Kjo është medalja e dytë e artë në pakë kohë për Kreshnik Lekën, pas asaj në European Masters Games, zhvilluar në qershor.